Më se një shekull nga pavarësia e Shqipërisë, roli kyç i Austro-Hungarisë, vjen në një konferencë shkencore. Përmes nxitjes me moton “Një Shqipëri për shqiptarët” dhe ndihmës kundër zgjerimit serb të një shekulli më parë, Vjena perandorake do të ndihmonte ekzistencën e shtetit shqiptar. Ambasada austriake në bashkëpunim me Institutin e Historisë kanë mbajtur këtë të enjte konferencën shkencore, “Krijimi i shtetit të pavarur shqiptar dhe roli i Austro-Hungarisë”.

Drejtori i Institutit të Historisë, Afrim Krasniqi, vërejti rolin themelor të Austrisë për pavarësinë e vendit, citoi letrat e elitës së kohës në këtë hulli dhe tha se “Vjena ka qenë qendër e albanologjisë me ‘Kulturprotektorat”. Ambasadori Austriak në Shqipëri, Christian Steiner, ndërsa solli në vëmendje raportet e Vjenës me Shqipërinë para, gjatë dhe pas pavarësisë, tha se “ato marrëdhënie në një farë mënyre kanë ndikuar edhe në raportet e këtyre 30 viteve pas rënies së diktaturës”.

Ndërkaq, historiani austriak David Schriffl, i ardhur nga Vjena enkas për konferencën, tha se “Marrëdhëniet tona datojnë që në vitin 1751 kur Austria hapi konsullatë në Durrës që është përfaqësia e parë zyrtare. Me rënien e perandorisë osmane Austro-Hungaria ishte e shqetësuar për një zgjerim të territorit serb. Vjena ushtroi për një kohë të gjatë “Kulturprotektoratin”dhe efektet e tij i kaluan ato fetare. Politika austriake shfrytëzoi klerin katolik për të vënë theksin mbi moton ‘Shqipëria për shqiptarët’. Në Vjenë u shkolluan katolikë e myslimanë duke krijuar një elitë politike shqiptare me ndërgjegje kombëtare. Mbështetja austriake për pavarësinë nuk ishte tërësisht altruiste, por interesi strategjik u përzje me magjepsjen shkencore e historike”.

Schriffl tha se para Luftës së Parë Botërore, Austria, ishte avokatja më e rëndësishme e pavarësisë dhe sot është avokate e vendosur për integrimin europian.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb