TIRANE – Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë (LDGSH) dënon dhunën policore të ushtruar ndaj grave dhe vajzave, aktiviste të Shoqërisë Civile, të cilat protestuan për të mbrojtur Parkun Kombëtar tek liqeni.

Sipas LDGSH-së, “territoret e Tiranës sot po iu merren me dhunë qytetarëve të saj për t’u kthyer në çifliqet e pushtetarëve. Në këtë lojë hileqare po flitet në emër të fëmijëve, ndërsa nënat e tyre po i dhunojnë!”

Lidhja Demokratike e Gruas së Shqipërisë e cilëson të papranueshme, të patolerueshme dhe të dënueshme dhunën që një efektiv policie ushtroi ndaj një gruaje, gjatë protestës së djeshme tek liqeni.

“Dhuna ndaj një nëne – është dhunë ndaj jetës!! Dhuna policore dhe arrestimet e porositura nga Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Kryebashkiaku, ndaj grave, vajzave, fëmijëve, të rinjve është këmbana e alarmit se Shqipëria sot qeveriset me diktat. Aktivistet e të drejtave të grave duhet të kishin ngritur zërin kundër dhunimit të të drejtave të grave ! Pushteti nuk mbahet dot me dhunë ndaj grave si trashëgimi diktature… Gardhi me dërrasa apo me tela, nuk është thjesht një vijë ndarëse gjeografike e territoriale te Parku Kombetar i Liqenit, por është kufiri mes demokracisë dhe diktaturës!! Ndaj në emër të fëmijëve tanë, në emër të jetës dhe shëndetit të tyre: Sa herë Rama dhe të tijët do të ngrenë gardhe dhe mure kundër jetës, aq herë do të rrëzohen edhe vetë ata…”- përfundon deklarata e LDGSH.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: