Julian Assange është vetëm disa javë larg ekstradimit në Shtetet e Bashkuara, pasi Priti Patel nënshkroi sot një urdhër për dërgimine tij në Virxhinia për t’u përballur me akuzat për spiunazh, ndërsa me gjasë e pret një dënim 175 vjet burg.

Sekretari i Brendshëm ka vulosur urdhrin e lëshuar nga një gjykatës në Gjykatën e Magjistraturës së Westminsterit për themeluesin e WikiLeaks në Amerikë, ku do t’i dorëzohet agjentëve federalë dhe do të gjykohet.

Assange, i cili aktualisht mbahet në burgun Belmarsh të sigurisë maksimale në Londrën juglindore, ka 14 ditë për të apeluar vendimin.

Assange do të dërgohet në SHBA për shkak të publikimit të një numri të madh dokumentesh konfidenciale nga WikiLeaks më shumë se një dekadë më parë. Në deklaratën e Ministrisë së Brendshme thuhet se gjykatat e Mbretërisë së Bashkuar vlerësojnë se procesi i ekstradimit të Assange nuk është i padrejtë dhe nuk është abuzim i procesit gjyqësor.

Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar autoriteteve britanike ekstradimin e Assange në mënyrë që ai të gjykohet mbi 17 akuza për spiunazh dhe një akuzë për keqpërdorim kompjuterësh. Prokurorët amerikanë thonë se Assange ndihmoi në mënyrë të paligjshme analisten e inteligjencës së ushtrisë amerikane, Chelsea Manning, të vidhte kabllogramet e klasifikuara diplomatike dhe dosjet ushtarake që WikiLeaks i publikoi më vonë, duke vënë kështu në rrezik jetë njerëzish.

Mbështetësit dhe avokatët e Assange, 50-vjeç, argumentojnë se ai po vepronte si gazetar dhe ka të drejtë për mbrojtjen e lirisë së fjalës nga Amendamenti i Parë për publikimin e dokumenteve që ekspozonin keqbërjet e ushtrisë amerikane në Irak dhe Afganistan. Ata argumentojnë se rasti i tij është i motivuar politikisht.

Avokatët e Assange shprehen se ai mund të përballet me 175 vjet burg nëse dënohet në SHBA, megjithëse autoritetet amerikane kanë thënë se çdo dënim ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se kaq.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb