Deputeti socialist Ben Blushi i është përgjigjur kritikëve brenda Partisë Socialiste, të cilët ‘rebelimin’ e tij e kanë kuptuar dhe shprehur si një luftë për karrige. Blushi thotë se kërkon që vendi të qeveriset më mirë. “Nuk më intereson që në kuptimin e ngushtë të jem kundër kryetarit të PS. Edi Rama është kaotik”, tha Blushi në emisionin “Zonë e lirë” të Arjan Çanit.

Deputeti socialist shtoi më tej se “e gjithë partia po i shkon humorit të një njeriu të vetëm”. “Thonë që ky na solli në pushtet. Por në fakt Rama na ka shtyrë 4 vjet”.

“Ne vitin 2009 humbën zgjedhjet, nuk dha dorëheqjen. Në vitin 2013 ishim në fushatë kombëtare. Unë doja që PS të vinte në pushtet, por nuk mendoja se do të vinim siç jemi sot. Nuk mund të parashikoja që Rama do të ishte në këtë pozicion.” Në 2017? “Nuk kam hyrë në këtë debat publik që PS të humbi zgjedhjet. Nuk dua që PS të bjerë nga pushteti, por të qeverisë më mirë.”

Ben Blushi ka komentuar mbledhjen e fundit në grupin e PS duke shantazhuar Ramën. ‘Unë kam bërtitur më shumë se ç’duhej atë ditë, por kam premtuar të mos tregoj çfarë ka ndodhur aty. Nuk i mohoj ato që dolën në media, por unë nuk dua të tregoj atë që ka ndodhur. Ka qenë aq e shëmtuar sa nuk dua ta tregoj. Me Edi Ramën kam histori të gjatë miqësie. E thashe në grup, po ta them edhe ty: Për shkak të miqësisë që kam pasur nuk kam interes të tregoj atë që ka ndodhur aty. Se miqesia e dikurshme më pengon. Nuk dua të them gjëra që e cënojnë më shumë se ç’duhet. Kjo është një çështje nderi, nderoj veten time. S’dua të flas, unë di shumë gjëra në politikë, s’e kam bërë kurrë të tregoj gjëra private. Ajo ishte shumë private atë ditë. Ishte një moment i dobët që nuk duhet të komentohet. Mund të të them, që atë ditë Edi Rama u mbyt në një gotë ujë dhe për këtë më vjen shumë keq’, ka thënë Blushi.

“Rama ka makth (nga një koment për Braçen, Ballën, Ruçin e Majkon)”

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi ka komentuar atë që ndodhi në Asamblenë Kombëtare të PS-­së dhe intervistën e dhënë nga Kryeministri, Edi Rama një ditë më parë në emisionin “Opinion”. Blushi u pyet nga Arjan Çani për nervozizmin e shfaqur nga Rama kur u pyet prej Fevziut për atë që ndodhi në mbledhjen e PS-­së në Elbasan.

Çani: Ka dy vjet që nuk ta përmend emrin. Këmbën e dridhte kur fliste për ty…

Blushi: Është ankthi i një njeriu para një gare.

Çani: Nuk ka garë?

Blushi: Në çdo kuptim ka një garë. Më vjen keq që është aq në ankth. Kjo është e vetmja gjë që do të mbahet mend nga ai emision. Shpresoj të mos jetë ngjitëse, se do të dalin të gjithë. Do të kthehet ngjitëse në Parlament, të gjitha ata që flasin kundër meje do ta bëjnë këmbën ashtu. Kam frikë mos kthehet në detyrë partie.

Çani e pyeti kush mund ta bënte këtë? Për Taulant Ballën, Blushi u shpreh i sigurt që e bën. Një koment të tillë dha edhe për Erjon Braçen. Ndërsa për Gramoz Ruçin tha: Nuk e besoj, Gramozi është burrë i qetë”. Majko? Nuk e di a do t’i shkonte.”

Blushi ka folur edhe për atë që ka ndodhur në qytetin e Elbasanit, në mbledhjen e PS-­së me socialistët, duke deklaruar se nuk është dhënë e plotë. Sipas tij, nuk është transmetuar e plotë videoja e fjalës së tij, por qëllimisht është shfaqur vetëm pjesa kur Blushi bërtet dhe i flet një personi që sipas tij po hungërinte në rreshtin e parë të të pranishmëve.

Blushi thekson se “ajo sallë atë ditë s’më ka shqetësuar fare, isha shumë i qetë atë ditë”.

“Kam folur me zë të lartë që të kisha mundësi të dëgjohesha sepse disa prej tyre bënin shumë zhurmë dhe kisha merak se nuk po dëgjohesha për pjesën që donin të dëgjonin, kjo është arsyje pse dukesha pak i acaruar në kamera, por duhet të nxjerrin kasetën, edhe kjo është një hile tjetër, kanë nxjerrë vetëm një pjesë që unë dukem i acaruar dhe duket sikur fyej dikë, po i flisja dikujt që hungërinte, kisha përballë dikë që e njihja në Elbasan për fat, por hungërinte, bënte një zhurmë të panatyrshme që s’e kisha dëgjuar kurrë. Nuk e di a është socialist, punon diku në Bashki mesa di unë, por kjo s’ka rëndësi, pra ai po merrej me cilësinë e tij si zhurmues”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: