Teksa sot është festa e Ujit të Bekuar, shumë qytete i janë bashkuar festimeve. Besimtarët ortodoksë, kryesisht të rinj i janë bashkuar ritit të hedhjes së kryqit, në lum, det apo dhe shatërvan.
Festimet në Berat
Dita e 6 Janarit, që simbolizon ditën e shenjtë të Ujit të Bekuar, në qytetin e Beratit përcillet çdo vit si një festë e madhe për të gjithë besimtarët e krishterë. 6 Janari, e kremtja e Pagëzimit të Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, ose e njohur në popull si dita e Ujit të Bekuar, për besimtarët beratas është një prej të kremteve më të mëdha të Kishës, nëpërmjet të cilës ata përkujtojnë pagëzimin e zotit të tyre, Jezu Krishtit, në ujërat e lumit Jordan, duke e pasqyruar këtë pagëzim të shenjtë çdo vit në ujërat e lumit Osum.
Ceremonia e kësaj dite të shenjtë, si çdo vit, edhe sot filloi herët në mëngjes në Kishën e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit, ku pasi u kryen të gjitha ritet fetare, At Johan Qako, me kryqin në dorë dhe nën goditjen e kambanave të Kishës, i’u drejtua lumit Osum, për të hedhur kryqin simbol të kësaj feste.
7 të rinj nga të gjitha lagjet e qytetit të Beratit, u hodhën në ujin e ftohtë të lumit për të pritur hedhjen e kryqit. Kryqi u kap nga 22-vjeçari Vasil Tapija, banues në lagjen “Goriricë” në Berat.
Si çdo vit, për të riun që kap Kryqin e Ujit të Bekuar, Kisha dhe Mitropolia i dhurojnë në shenjë simbolike 150 mijë lekë (të vjetra). Më pas ai shkon me kryqin në dorë në çdo shtëpi të lagjeve: Goricë, Mangalem e Kala, banorët e të cilave “dorovisin” kryqin e bekuar që mban në dorë i riu. I riu Vasil Tapija shprehet se është viti i katërt që hidhet në lum për kryqin dhe hera e parë që e kap. Ai shprehet se ndihet i lumtur dhe uron të gjithë besimtarët në këtë ditë të bekuar.
Për besimtarët e krishterë, dita e 6 Janarit simbolizon jo vetëm ditën e pagëzimit të zotit të tyre Jezu Krishtit, por edhe pastrimin e të gjitha ujërave të ndotur në mbarë botën, duke lajmëruar faljen e mëkateve dhe mëshirën e Perëndisë. Pas ceremonisë, besimtarët e krishterë i drejtohen Kishës për të mbushur bidona me ujë të bekuar, të cilin e marrin në shtëpi dhe e mbajnë për gjithë vitin, pasi ky ujë për ta shërben për të shëruar shpirtrat dhe trupin dhe pihet sa herë kur ata janë të sëmurë.
Festimet në Durrës
Ceremonia e Ujit të bekuar në Durres u mbajt ne portin e Durresit. Kisha e Shën Apostul Pavlit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Procesioni filloj me një meshë dhe më pas vargu i gjatë i besimtareve iu drejtua portit te Durrësit ku çdo vit bëhet hedhja e kryqit në ujë.
Tre të rinj u hodhën sipas zakonit në ujë për të marrë kryqin në ujerat e Adriatikut. Ishte 16-vjeçari Vasil Aleksi ai që nxori kryqin nga uji.
Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë i parapriu mesha, aty ku qindra besimtarë morën në shtëpi edhe ujin e bekuar, duke e ruajtur atë deri vitin e ardhshëm.
Ceremonia e Ujit të bekuar në Fier
Besimtarët ortodoksë në qytetin e Fierit i janë bashkuar festimeve këtë 6 janar për ditën e Ujit të Bekuar. Kisha e Shën Gjergjit ka organizuar hedhjen e kryqit në ujë. Procesioni filloj me një meshë dhe më pas vargu i gjatë i besimtareve iu drejtua shatërvanit në sheshin “Europa”, ku çdo vit bëhet hedhja e kryqit në ujë. Dy të rinj u hodhën sipas zakonit në ujë për të marrë kryqin, në një të premte me diell në Fier. Ishte 15-vjecari Angjelo Davidhi ai që nxori kryqin nga uji. I riu ia ka dorëzuar kryqin metropolitit të Apolonisë dhe Fierit, At Nikolla, duke marrë bekimin e tij.
Ceremonia e hedhjes së kryqit në ujë i parapriu mesha në kishën e Shën Gjergjit, aty ku qindra besimtarë morën në shtëpi edhe ujin e bekuar, duke e ruajtur atë deri vitin e ardhshëm.
Kremtimi i 6 Janarit në Vlorë
Kremtimi i 6 janarit në Vlorë, Epifania, festa fetare e simbolizuar me hedhjen e kryqit në det. Në Vlorë katër të rinj janë hedhur në det për të sfiduar veten dhe temperaturat e ulëta për gjetjen e kryqit të shenjtë. Athanas Davidhi ka qenë personi, i cili ka arritur të kapë kryqin në ujërat e ftohta të detit. Ceremoni e startuar me ritualin fetar të kësaj dite të shenjtë dhe përfunduar me hedhjen e kryqit në det, ndërsa nuk ka munguar urimi edhe nga prifti i kishës së “Shën Theodorit në Vlorë, At Konstandin Prifti.
(BalkanWeb)
