Nga AURORA KOROMANI* TIRANE- “Djali im nuk ishte vrasës me pagesë. Atë e kanë futur në kurth, polici e qëlloi pas shpine”. Kështu shprehet Behar Baze, babai i Artur Bazes, 42-vjeçarit nga Skrapari që humbi jetën gjatë atentatit të së hënës tek “Rruga e Kavajës”, i njohur ndryshe si Arjanit Sterjo. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” 65-vjeçari rrëfen jetën e djalit të tij dhe hedh poshtë të gjitha akuzat që janë bërë ndaj Arturit si vrasës me pagesë.
Si e morët vesh për vdekjen e djalit tuaj?

Atë natë si gjithmonë po ndiqja televizionin “News24”, kur dëgjova se ishte bërë një atentat. Në fillim emri u tha Arjan Sterjo dhe kur dëgjova mbiemrin u frikësova pak, por më vonë do kuptoja se bëhej fjalë pikërisht për djalin tim, pasi u saktësua emri dhe u tha se ishte vrarë Arjanit Sterio. Pas kësaj mora vajzat në Greqi dhe u tregova se çfarë na kishte ndodhur dhe u thashë që të vinin në Shqipëri sa më shpejt të mundeshin.
Përse e kishte ndërruar emrin djali juaj, nga Artur Baze e kishte kthyer në Arjanit Sterio?
Dua ta saktësoj edhe këtë pjesën e ndërrimit të emrit të djalit tim. Arturi prej shumë kohësh jetonte dhe punonte në Greqi dhe atje punonte punë të ndershme dhe herën e fundit që ishte në shtetin grek ai mori “apelas”, vulë që nuk lejon më hyrjen në shtetin grek. Por, djali im e mori këtë vulë, jo se kishte bërë ndonjë krim në shtetin grek, por për shkak se i kishte mbaruar dokumentacioni që e lejonte atë për të qëndruar dhe punuar në Greqi. Pas kësaj, Arturin për shkak se nuk kishte dokumentacion të rregullt e kapën dhe e dënuan me 24 muaj burg, por ai kreu vetëm 11 muaj, sepse e liruan për sjellje të mirë. Djali u rikthye në Shqipëri dhe tentoi disa herë që të ikte sërish në Greqi, por nuk mundi, sepse e rikthyen në kufi tre herë. Për këtë arsye, duke qenë se djalit i duhej pasaportë tjetër, ai vendosi që të ndryshonte emrin dhe e ktheu në Arjanit Sterio.
Për Arturin është thënë se dyshohej se ishte vrasës me pagesë, si ju përgjigjeni ju këtyre akuzave?
Djali im nuk është vrasës me pagesë dhe as ka qenë ndonjëherë. Ai nuk ka qenë i kërkuar për asnjë krim as në shtetin grek, as këtu në Shqipëri. Një vrasës me pagesë do kishte një precedent penal në jetën e tij, Arturi gjithë jetën e tij është marrë me punë të ndershme. Pastaj, si mund të jetë një person vrasës me pagesë kur ai nuk ka një llogari bankare, sepse një vrasës me pagesë do kishte lekë dhe do kishim edhe ne. Nëse Arturi do ishte vrasës me pagesë, do kishte një makinë, ndërsa djali im kishte vetëm 20 mijë lekë të vjetra me të cilat na mbushi bombolën e gazit dhe i mbetën në xhep dy mijë lekë të vjetra, edhe lekë për autobusin nuk kishte, po të kishte bërë vrasje kundrejt pagesës do ishte milioner.

Ju kishte përmendur ndonjëherë djali juaj ndonjë emër të shokëve të tij me të cilët ai rrinte? Mbani mend t`ju ketë përmendur emrin e Pajtim Serjanit apo Emiljano Shullazit?

Jo, jo, djali im nuk më ka përmendur asnjë emër të shokëve të tij. Nuk më ka përmendur kurrë as Pajtim Serjanin, as Emiljano Shullazin dhe as ndonjë emër tjetër.

Ju besoj i keni dëgjuar akuzat që janë bërë ndaj djalit tuaj, sipas të cilave thuhet se Arturi ka tentuar të qëllojë katër persona, nga të cilet ka qëlluar edhe një polic?

Po, i kam dëgjuar dhe ajo që unë nuk kuptoj është se si një person i vetëm paska shkuar që të vriste katër persona. Pastaj, unë nuk kuptoj se përse djali im është qëlluar në shpinë disa herë, ku njëri nga plumbat i ka prekur edhe zemrën? Dua t’i bëj një pyetje atij policit, përse nuk e plagose djalin tim, por e vrave nga pas shpine? Polici ka pasur mundësi që ta qëllonte djalin tim nga këmbët që ta paralizonte dhe më pas ta arrestonte dhe pastaj djali im të tregonte se si ishte e vërteta dhe nëse dilte se djali im ishte i përfshirë në këtë histori dhe ato që thuhen do ishin të vërteta, unë vetë do e dënoja djalin tim dhe do e lija që të kalbej në burg. Por, ata ma vranë djalin nga mbrapa shpine.

Përse atëherë djali juaj është gjetur në vendin e ngjarjes, çfarë njohjesh ka pasur me grupin tjetër?

Nuk e di se çfarë njohjesh ka pasur me grupin tjetër, por unë mendoj se djalin tim e kanë futur në kurth. Djalin tim e kanë marrë në telefon dhe ai ka shkuar atje, por ne nuk e dimë se çfarë ka ndodhur vërtet. Djali im mund të ketë shkuar për t`u sqaruar me ndonjë person dhe mund të ketë kuptuar se i kanë ngritur kurth dhe në momentin që ka dashur të largohet e kanë vrarë dhe i kanë vënë edhe pistoletën në dorë, sikur të gjithë ngjarjen e ka bërë ai, sepse në dijeninë tonë, djali nuk ka pasur kurrë pistoletë. Edhe atë natë erdhën polica civilë dhe na bënë kontroll dhe nuk gjetën asgjë për djalin tim. Por, ne si familje kemi besim se drejtësia do e zbardhë të vërtetën.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb