NGA ERMELINDA HOXHAJ*

Rezoluta për Shqipërinë, e miratuar ditën e djeshme nga Parlamenti Europian, i ka dhënë një “shuplakë” qeverisë shqiptare mbi planet për ndërtimin e hidrocentraleve në zonat e mbrojtura, në veçanti parqet kombëtare. Në Raportin e Komisionit të Zgjerimit, në pikën 22 të tij, lumi Vjosa përmendet në veçanti. PE këshillon qeverinë të marrë në konsideratë krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe i kërkon asaj të heqë dorë nga planet për ndërtimin e hidrocentraleve të reja përgjatë lumit Vjosa dhe degëve të saj.

Kërkesa për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar është pjesë e fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”, e iniciuar nga shumë shoqata mjedisore ndërkombëtare dhe vendëse. Sipas ekspertëve, Vjosa është një thesar për të gjithë Europën, pasi është lumi i fundit i egër në Evropë, pa përfshirë Rusinë. Nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në detin Adriatik rrjedh e lirë dhe paprekur.

Rezoluta & lumi Vjosa
Parlamenti Evropian i ka rekomanduar qeverisë shqiptare të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj në progres-raportin e BE vitin e kaluar. Megjithatë, në kundërshtim me këtë kërkesë, qeveria shqiptare ka ftuar së fundmi investitorët për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë. Kompanitë nga e gjithë bota u ftuan të aplikojnë për këtë koncesion deri në 17 mars 2016. Akoma nuk dihet cila është fituesja, edhe pse ka gjasa që do të jetë kompania turke, e cila ka fituar bonusin prej 8% në korrik 2015.

“Hapja e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Vjosë na befasoi, pasi kryeministri Rama kishte sugjeruar gjithashtu mbrojtjen e këtij lumi kaq unik. Për më tepër, nuk është bërë një studim i thelluar sipas standardeve të njohura ndërkombëtarisht në lidhje me ndikimin që ky projekt do të kishte në natyre”, thotë Gabriel Schwaderer, drejtor i Fondacionit për Ruajtjen e Natyrës, “EuroNaur”. Për më tepër, BE i bën thirrje Shqipërisë të përmirësojë standardet e Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si dhe të përfshijë dhe informojë më shumë publikun në procesin e planifikimit.

“Ky pozicionim i Parlamentit Evropian mbështet punën tonë në Shqipëri. Megjithatë, është e rëndësishme që qeveria shqiptare të mos i injorojë këto kërkesa. Në vend të hidrocentraleve të planifikuara, ne kërkojmë shpalljen e të gjithë Vjosës park kombëtar, duke shpallur kështu parkun e parë të lumit të egër në Evropë”, thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Ky vizion mbështetet gjithashtu dhe nga komuniteti lokal. Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë, pa përfshirë Rusinë. Në disa zona shtrati i lumit arrin në më shumë se 2 km gjerësi. Nga ana shkencore, ky lumë është pothuaj i paeksploruar. Megjithatë, qeveria planifikon të ndërtojë diga në zonën me vlera më të larta ekologjike. “Mesazhet e rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian në lidhje me lumin Vjosa tregojnë në mënyrë tashmë të përsëritur se shqetësimi ndërkombëtar është në rritje. Vjosa nuk përbën vetëm një aset të natyror të Shqipërisë, por një thesar në trashëgiminë natyrore të familjes evropiane, ku ne synojmë të integrohemi”, thotë Olsi Nika, drejtor i “EcoAlbania”.

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: