TIRANE- Interesi mesatar i depozitave në lekë për të gjitha afatet e maturimit zbriti në muajin mars poshtë 1%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar zbriti në 0.94%, nga 1.17% në muajin e mëparshëm. Sipas BSH-së, për depozitat me afat 1-vjeçar, më të preferuara nga kursimtarët, interesi ka zbritur afër 1%, ndërsa dhe për depozitat afatgjata (5- vjeçare), interesi ka rënë në rreth 3.5%.
Sipas BSH-së, kjo rënie e interesave ka bërë që depozituesit të tërheqin paratë nga kursimet 1-vjeçare, duke i zhvendosur ato drejt alternativave të tjera, si letra me vlerë, fonde investimesh apo kursime afatgjata. Edhe në mars, depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 1.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore janë tkurrur me 10%. Në total, depozitat në mars u rritën lehtë me 1 miliard lekë, në raport me një muaj më parë, ndërsa me bazë vjetore janë zgjeruar me 0.9%. Ndërsa, për kursimtarët rënia e interesave është një lajm i keq, për të gjithë ata që duan të marrin kredi në lekë, interesat janë më të lira se asnjëherë tjetër.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma mesatare e interesit të kredisë në lekë (për të gjitha afatet e maturimit) në mars të këtij viti zbriti në 7.3%, një rekord minimumi historik ky. Ndërkohë, kredia për ekonominë shënoi rritje të papërfillshme në tre muajt e parë të vitit, duke paralajmëruar se aktiviteti kreditues mund të mbetet i plogësht edhe në 2016-ën. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në mars, totali i huave që bankat kanë dhënë për ekonominë arriti në 547 miliardë lekë, nga 546.8 miliardë që ishte në fund të dhjetorit.
Ndërsa, nëse krahasohet me marsin e vitit të kaluar, kredia ka rënë me 10 miliardë lekë, ose 70 milionë euro. Të dhënat e detajuara tregojnë se e gjithë rënia ka ardhur nga portofoli i huave të biznesit. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia që bankat kanë dhënë për biznesin ka rënë, nga 365 miliardë lekë që ishte vjet në mars, në 354.9 miliardë këtë vit. “Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare”, thuhet në program.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
