M’u desh të shfletoja disa shënime të kohës së karantinës kundër covidit. Më ra veçanërisht në sy njeri ku shënoja se në banaqet televizive ishin pakësuar gjithologët dhe qenë shtuar goxha ekspertët, kryesisht mjekë, por edhe ekonomistë, statisticienë, kimistë, biologë etj., jo vetëm nga ata ‘brenda unazës e këndej bulevardit’, por edhe nga diaspora.

Vetëm se nuk durohen, ironizoja. Moderatori a moderatorja i pyet, kurse ata jo rrallë ia kthejnë: këtë duhet ta thotë imunologu, unë jam infeksionist; këtë duhet ta thotë ndonjë ekonomist, unë jam biolog’.

Hajde e prit imunologun, ekonomistin etj. Kanë lezet gjithologët, përgjigjen tak fak për gjithçka e për gjithkënd. Hazërxhevap hesap, bluajnë si mulli pa drithë.

Tek po e lexoja nisa të vrisja mendjen pse gjatë karantinës ekspertët ishin aq të shumtë në emisionet televizive, por pastaj u pakësuan sërish.

Mundet që drejtuesit e emisioneve, më shumë se për të vërtetat janë të interesuar për spektakël dhe ekspertët s’para ia thonë për thiatro në publik, ishte shpjegimi i parë.

Njerëz të punës dhe s’kanë shumë nge për ekrane e biseda, ishte shpjegimi tjetër. Në ato ditë mbylljeje të detyruar në shtëpi, veç që ishin të ngeshëm e mund të lidheshin në skype, kishin edhe motive më të fuqishme për të dalë në publik, për t’iu gjendur sidokudo njerëzve.

Po ku ta dish, shtova, se edhe pasiguria e frika e karantinës nuk i kanë nxitur t’i dëshmojnë vetes vitalitet e gjallëri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: