TIRANE – Djali i deputetit demokrat, Mhill Fufi është dënuar me 1 vit burg nga Gjykata e Tiranës, dënim i cili do t’i konvertohet në shërbim prove me kusht. Vendimi u dha pas 4 seancave të zhvilluara në total, nga gjyqtari pranë Dhomës Penale në Tiranë, Arben Micko. Dënim me kusht mori edhe shoqja e Fufit, M.Bufi.

Djali 17-vjeçar i deputetit demokrat Mhill Fufi, G.Fufi u arrestua në 4 dhjetor të 2015-ës në Tiranë, me një pistoletë pa leje. Policia bëri të ditur se G.Fufi ishte përfshirë në një konflikt me disa persona të tjerë në shkollën “Vasil Shanto” në datën 1 dhjetor.

Një grup djemsh më të mëdhenj se 17- vjeçari i kishin ngacmuar G. Fufit të dashurën M.B. dhe për këtë arsye ai i kishte goditur me mjete të forta. Një ditë më vonë, pas grindjes, në një mesazh të ardhur në “Instagram”-in e një shoku të 17-vjeçarit G. Fufi, personat me të cilët ishte grindur e kanë kërcënuar duke i thënë se do të paguajë për goditjen që u ka dhënë. I frikësuar nga reagimi i tyre, 17-vjeçari ka siguruar një pistoletë tip “Ekol” me tre fishekë në Laç dhe prej dy ditësh e mbante me vete në shkollë, duke e fshehur në çantën e shoqes së klasës M. Bufi, e cila gjithashtu u arrestua nga policia.

Efektivët e policisë ishin lajmëruar që në datën një dhjetor për incidentin mes të rinjve dhe po i mbanin nën vëzhgim. Pas informacionit të marrë, efektivët e komisariatit nr. 2 bënë të mundur identifikimin e personave të përfshirë në konflikt dhe gjetjen e armës tip pistoletë “Ekol” me tri fishekë në çantën e 17-vjeçares M. Bufi, nxënëse në shkollën “Besnik Sykja”.
(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb