TIRANË- Diçka ndryshe ka vendosur të sjellë Ministria e Mbrojtjes në këtë 1 qershor. Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve ka pasur në qendër fëmijët, nënat e të cilëve vuajnë dënimin.

Aktiviteti i organizuar nën kujdesin direkt të ministres së Mbrojtjes znj. Mimi Kodheli, në bashkëpunim me shkollat e 9-vjeçare të Tiranës, Dhomën e Avokatisë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, iu kushtua pikërisht fëmijëve të nënave të dënuara.

Aktiviteti u shoqërua me programe artistike të përgatitura nga fëmijët e shkollave 9- vjeçare të kryeqytetit.

Pjesë e festës u bë edhe “Mjeshtrja e madhe”, aktorja Roza Anagnosti, e cila recitoi një monolog artistik për fëmijë, të poetit Mitrush Kuteli.

Në aktivitet ishin të pranishëm ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, zëvendësministri, Petro Koçi, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit znj. Nora Malaj, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Klodiana Spahiu dhe drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve Artur Zoto.

Në fjalën e saj përshëndetëse, ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, theksoi se ky aktivitet padyshim që i dedikohet të gjithë fëmijëve, por më së pari i dedikohet fëmijëve, nënat e të cilëve vuajnë aktualisht dënimin me burg. Ministrja Kodheli e cilësoi këtë si një moment reflektimi, për të bërë më të mirën për shoqërinë shqiptare, e cila me gjithë përpjekjet e saj, vuan akoma padrejtësi.

Ministria e Mbrojtjes dhe shkollat 9-vjeçare të kryeqytetit shpërndanë dhurata për fëmijët e nënave të dënuara.

Për t’i falënderuar nxënësit dhe mësuesit që ndihmuan në këtë festë, Ministria e Mbrojtjes dorëzoi disa certifikata mirënjohjeje për shkollat pjesëmarrëse. Pas përfundimit të aktivitetit, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli ofroi një drekë për këta fëmijë dhe nënat e tyre.

(m.k/BalkanWeb) 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: