Numri 2 i qeverisë ‘Trump’, JD Vance ka kritikuar vendet evropiane se po ndërmarrin rregulla të tepruara për uljen e rreziqeve nga inteligjenca artificiale.

Në fjalimin e mbajtur gjatë takimit tënivelit të lartë për inteligjencën artificiale,  zëvendëspresidenti JD Vance tha se rregullat e tepruara  mund të dëmtojnë industrinë e inteligjencës artificiale, që po rritet me shpejtësi.

Nënpresidenti Vance mbajti fjalimin e tij të parë të rëndësishëm për politikat, që nga marrja e detyrës muajin e kaluar, duke e përkufizuar inteligjencën artificiale si një pikë kthese, por duke paralajmëruar se “në këtë moment, përballemi me perspektivën e jashtëzakonshme për një revolucion të ri industrial, të ngjashëm me shpikjen e motorit me avull”.

Në këtë takim, ra në sy mungesa e Shteteve të Bashkuara ndër 60 vendet që firmosën një deklaratë, ku u zotuan “për të nxitur qasjen tek inteligjenca artificiale me qëllim zvogëlimin e hendekut dixhital” dhe “për t’u siguruar që inteligjenca artificiale të jetë e hapur, gjithëpërfshirëse, transparente, etike, e sigurtë dhe e besueshme”.

Marrëveshja bëri gjithashtu thirrje që “inteligjenca artificiale të jetë e qëndrueshme për njerëzit dhe planetin” dhe për të mbrojtur “të drejtat e njeriut, barazinë gjinore, shumëllojshmërinë gjuhësore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe të drejtat e pronësisë intelektuale”.

Shtetet e Bashkuara, nën drejtimin e administratës së re të Presidentit Donald Trump, mbështetin një përqasje më liberale për të ushqyer novacionin, ndërkohë që Evropa po i shtrëngon edhe më tej rregullat e saj të rrepta, për të patur llogaridhënie dhe siguri.

Ndërkohë, Kina po zgjeron me shpejtësi sektorin e inteligjencës artificiale nëpërmjet kompanive gjigande të mbështetura nga shteti dhe synon të dominojë garën globale.

Nënpresidenti 40-vjeçar amerikan po shfrytëzon pjesëmarrjen në takimin e nivelit të lartë për inteligjencën artificiale dhe në konferencën e sigurisë në Mynih në vazhdim të kësaj jave, për të projektuar stilin e ri të diplomacisë dinamike të Presidentit Trump.

Administrata e Presidentit Trump do të “sigurohet që sistemet e inteligjencës artificiale të prodhuara në Amerikë nuk do të kenë anshmëri ideologjike”, tha Nënpresidenti Vance dhe u zotua se Shtetet e Bashkuara “nuk do të kufizonin kurrë lirinë e shprehjes së qytetarëve tanë”.

 

 

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb