Në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Prof. Dr. Ali Jashari teksa rendit disa nga problematikat më madhore me të cilat shqipja po ndeshet në ditët e sotme, thotë ekskluzivisht për gazetaren Lorena Kodra se ka nisur puna për hartimin e Fjalorit të Madh Frazeologjik të Gjuhës Shqipe.
“Ne po punojmë krahas Fjalorit të Madh, që tani ai ka marrë formë dhe mbaroi, njëkohësisht edhe për Fjalorin e Madh Frazeologjik të Gjuhës shqipe. Në qoftë se fjalori që ka bërë Akademik Jani Thomai, i botuar dhe i ribotuar disa herë ka rreth 12,000 njësi apo shprehje frazeologjike, ky fjalor ka përmbi 42,000 njësi të tilla.
Kjo do të jetë natyrisht një vepër që i mungon gjuhës shqipe. Kaq është e mjaftueshme, se populli thotë “të mos e shesim lëkurën e ariut, pa e vrarë”, shprehet gjuhëtari Ali Jashari.
E cilësuar si ashti i gjuhës shqipe, frazeologjia mbetet struktura më e fortë e gjuhës sonë, e cila nuk ndikohet nga shprehjet e huaja.
