Endrit Braimllari, kandidat për deputet nga PS në Qarkun e Tiranës, në i ftuar në studion e News24 me Ola Bruko, analizoi fushatën elektorale dhe theksoi rëndësinë e lidhjes së mesazheve politike me nevojat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Ai kritikoi qasjet e sipërfaqshme në komunikimin politik, duke vënë në dukje se për të fituar besimin e publikut, kërkohet angazhim i përditshëm dhe kontakt i drejtpërdrejtë me njerëzit. Duke iu referuar fushatës së PL, forcës politike ku ai shërbeu për vite me radhë, Braimllari theksoi se u orientua drejt interesave personale të drejtuesve.
Sipas tij, suksesi nuk vjen rastësisht, por përmes një pune të vazhdueshme në terren dhe ndërtimit të një raporti të sinqertë me qytetarët.
Endrit Braimllari: Në një fushatë elektorale janë disa komponentë që duhen për të realizuar objektivin. I pari është mesazhi, pra ti duhet të kesh një mesazh, një komunikim publik që shkon në interes të qytetarëve.
Ola Bruko: Ky mesazh nuk mungonte nga Zoti Meta edhe pse ishte në burg. Herë pas here vinte mesazhi i tij për popullin…
Endrit Braimllari: I pari duhet të jetë mesazhi që shkon drejtpërdrejt për qytetarët dhe jo për interesin personal të individëve. Kjo është shumë e rëndësishme. Nga ana tjetër, partitë politike kanë disa mekanizma që punojnë në terren, për të çuar mesazhin te votuesi atje ku është, në mënyrë që të shkojë në votime. Nëse do të kishin funksionuar hallkat siç duhet, flas për forcat e tjera politike, rezultati mund të ishte ndryshe.
(BalkanWeb)
