Në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit Martin Camaj, Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, dha detaje për nderimet që do t’i bëhen këtij personaliteti në emisionin Kjo Javë në News 24.
Ajo tha se Camaj ishte një autor me përmasa të mëdha, figurë komplekse dhe me ndikim të thellë në letërsinë dhe çështjen kombëtare shqiptare. Bardhyli njoftoi se përvjetori do të shënohet me aktivitete në Tiranë dhe me bashkëpunim me Universitetin e Mynihut, ku Camaj ka qenë profesor.
Ajo shtoi se ky vit ka qenë i mbushur me nisma për promovimin e leximit dhe autorëve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli: Ka qenë një vit i mbushur me aktivitete për leximin, aktivitete që kanë qenë kudo nëpër Shqipëri dhe jo vetëm në Tiranë. Kemi dërguar autorë të rinj shqiptarë ose autorë të njohur në komunitete studentësh. Po promovojmë autorët tanë. Në Laipzig, letërsia shqipe u prezantua në nivele të larta. Kemi dërguar autorë shqiptarë të rinj. Në lidhje me 100-vjetorin e Martin Camajt, është një event për letërsinë shqiptare. Camaj është personazh shumë i ndërlikuar të themi, duke përfaqësuar figurën e një personaliteti me përmasa të mëdha.
Ai ishte modern, ishte autor i fuqishëm, jetoi në vende të ndryshme dhe ishte konfliktuar me regjimin monist. Martin Camaj ishte profesor i nderuar në Mynih, ai ka bërë shumë për çështjen kombëtare. Duhet të nderojmë figurën e tij, do e kremtojmë këtu në Tiranë, në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Do kemi aktivitet të përbashkët me Universitetin e Mynihut. Ai duhet të njihet mirë. Ne duhet të marrim shumë prej tij, atë që la për shoqërinë dhe ndërgjegjen.
Dua të them se ne si Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit kemi edhe “varg festival”, ne marrim kënaqësinë që të udhëtojmë nëpër Shqipëri, duke parë se vendi ynë ka ndryshuar shumë. Ne kemi nevojë shumë për librin dhe leximin. Varg festival është kthyer në traditë. Eventi do të nisë te Torra Veneciane në Durrës dhe do të vijojë më pas edhe në qytete të tjera të vendit. Vera na ofron më shumë me librin, sepse kemi më tepër kohë në këtë stinë. Gjatë verës ka rritje të interesit ndaj librit. Shqiptarët po i rikthehen librit, po i rikthehen ngadalë, por kjo është shenjë pozitive, teksa sheh të rinj që duan të lexojnë.
(Balkanweb)
