News24 zbardh detaje të dosjes së grupit kriminal që trafikoi tonelata kokainë drejt Europës dhe Britanisë së Madhe.

Grupi prej shtatë anëtarësh, 5 prej të cilëve ndodhen në paraburgim, ndërsa dy të tjerë në kërkim ndërkombëtar u zbërthye pasi SPAK arriti të sigurojë komunikimet e tyre në aplikacionin e Koduar Sky ECC.

Plarent Dervishaj, i cili po gjykohet për atentatin ndaj automjetit të ish-prokurorit Arjan Ndoj me një të vrarë dhe dy të plagosur, konsiderohet si drejtues i grupit kriminal. Siç rezulton nga mesazhet të shkëmbyera, Dervishaj ka komunikuar në lidhje me aktivitetin e tij kriminal, ku përmend destinacione të ndryshme si Santa Marta, Kolumbi për Antwerp, Belgjikë si dhe për kapjen e një sasie droge te kapur nga autoritetet doganore në Spanjë. Po ashtu ai flet edhe për bashkëpunëtorët e tij.

Në prill të 2020, ai i konfirmon një prej bashkëbiseduesve dërgimin e një sasie prej 811 copësh si pjesë e dërgesës së parë për llogari të tij, sasi e cila është sekuestruar dhe Dervishaj konfirmon se ishte nisur e kamufluar në paleta druri.

“U bon 6 rrugë rresht qe nuk ecin. U kapen 4 ton dy dit para i futen gjith anijet në skaner. Çdo gjë ishte ok, po fat leshi. Ishte me palet druni”, thotë ndër të tjera ai.

Ndërkohë në një komunikim në mars të 2020 me Artur Hoxhosmani ai konfirmon nisjen e një sasie kokaine prej 300 pakosh. Bisedat mes të dyshuarve vijojnë dhe në disa raste ato kanë shkëmbyer edhe foto të sasive te drogës që kishin nisur nga Ekuadori apo Kolumbia drejt porteve të Europës.

Grupi kriminal u godit pak ditë më parë dhe në pranga përfundoi Ermir Ndreaj që njihet me pseudoninim “Cinco” në Sky ECC.

Artur Hoxhosmani njihet nofkat “Burrelsi”, “Lambo”, “Santucio” dhe “Santocio neë”.

Vëllai i tij, Klevis Hoxhosmani me pseudonimet “Keli”, dhe “Santucio Brother”.

Plaurent Dervishaj njihet me me pseudonimet “Xio” Shoku” dhe “Plaku matuf”, ndërsa Erion Alibej me pseudonimet “Liz”, “Liizzz”, “Krymi” dhe “Noku”.

Devid Patrut alias Devid Boraj alias Elidon Skëndaj njihet me me pseudonimet “Bisha” dhe “Bisha new”, ndërsa Ilir Lloshi me pseudonimin “Licja”. Keta dy të fundit janë në kërkim ndërkombëtar. Grupi trafikoi 6 tonë drogë me vlerë 411 mln euro.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb