Rusia deklaroi të enjten se vendimi i gjykatës boshnjake për të ndaluar presidentin Millorad Dodik nga posti politik, për shkak të refuzimit të urdhrave nga i dërguari ndërkombëtar i paqes, rrezikon ekzistencën e Bosnjës dhe Hercegovinës si një shtet i bashkuar.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnje vendosi të mërkurën shkarkimin e Milorad Dodikut, pasi një gjykatë apeli javën e kaluar konfirmoi një vendim që e dënonte me një vit burg dhe i ndalonte angazhimin në politikë për gjashtë vjet.
Dodik, një nacionalist pro-rus dhe aleat i ngushtë i Presidentit rus Vladimir Putin, ka mbështetur vazhdimisht shkëputjen e entitetit serb të Bosnjës dhe ka penguar përpjekjet për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ambasada ruse reagoi duke e quajtur vendimin e gjykatës “politik” dhe të diktuar nga presioni i vendeve perëndimore, të cilat, sipas saj, po përdorin institucionet ligjore për të eliminuar kundërshtarët politikë.
“Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të përballojë të bëjë një gabim historik,” thuhet në deklaratën e ambasadës. “A është harruar e kaluara e saj si ‘fuçia e barutit’ në Evropë?”
Ambasada paralajmëroi se rrezik nuk i kanoset vetëm pozitës së Bosnjës në “familjen demokratike evropiane”, por edhe vetë ekzistencës së saj si shtet i bashkuar.
Në vitin 2021, në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Rusia dhe Kina bllokuan zyrtarisht miratimin e Christian Schmidt si Përfaqësues i Lartë ndërkombëtar në Bosnjë, edhe pse ai u emërua nga vendet perëndimore. Nacionalistët serbo-boshnjakë nuk e kanë njohur asnjëherë autoritetin e Schmidt-it dhe kanë refuzuar të zbatojnë vendimet e tij.
Dodik e ka hedhur poshtë vendimin e gjykatës që nga shpallja e tij në shkurt dhe të mërkurën njoftoi një referendum për të përcaktuar nëse duhet të vazhdojë në detyrë, duke akuzuar Schmidt dhe boshnjakët për një komplot për ta rrëzuar. Rusia u bëri thirrje institucioneve të Bosnjës të refuzojnë “diktatin e jashtëm” dhe të punojnë për uljen e tensioneve.
(BalkanWeb)
