Një situatë alarmante dhe tragjike po ndodh në Gramsh, ku disa fshatra janë përfshirë nga zjarre masive që kanë lënë pas shkatërrim, të plagosur dhe, fatkeqësisht edhe një viktimë . Në orët e para të pasdites së së martës, fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar, Shimër, Skënderbegas, Spanesh dhe Kazie janë vendosur nën pushtetin e flakëve dhe tymit të dendur me zjarre, flakët e të cilëve arrijnë në disa metra lartësi.

Sipas njoftimeve zyrtare, fshatrat Kullollas, Bletëz, Menkollar dhe Shimër janë shkrumbuar plotësisht, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ka vijuar me evakuimin e banorëve, duke bërë apel për bashkëpunim nga komuniteti lokal. Në fshatin Kullollas, sipas policisë ,një i moshuar rreth 80 vjeç ka humbur jetën tragjikisht, pasi dyshohet se ndezi zjarr në kopshtin e banesës, i cili më pas doli jashtë kontrollit. I moshuari u asfiksua nga tymi, ndërsa flakët u përhapën me shpejtësi në një zonë të gjerë përreth.

Zjarret kanë prekur edhe trashëgiminë kulturore, pasi është djegur teqeja e Shemberdhenjës, një objekt me rëndësi historike dhe shpirtërore për zonën. Brenda saj dyshohet se ka mbetur i bllokuar një person, ndërsa fati i tij ende nuk dihet. Në një tjetër incident dramatik, në fshatin Bulçar, një grua me dy fëmijë është bllokuar në fermë, duke kërkuar ndihmë urgjente nga autoritetet. Por ndërhyrja e ambulancave dhe forcave zjarrfikëse është bërë tepër e vështirë, për shkak të terrenit të thyer dhe flakëve të mëdha, që rrezikojnë edhe jetën e ekipeve të shpëtimit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Situata në Gramsh është kritike dhe kërkon mobilizim të jashtëzakonshëm nga të gjitha strukturat, mbështetje nga ajri, ndihmë humanitare dhe solidaritet të gjerë për përballimin e kësaj fatkeqësie, që po prek rëndë banorët dhe natyrën e zonës. Në Gramsh ka shkuar edhe ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, si edhe autoritete të tjera për të kontribuar në minimizimin e dëmeve të kësaj katastrofe të shkaktuar nga zjarret, flakët e të cilëve kanë pushtuar fshatra të tërë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: