Dukesha e Kentit ka ndërruar jetë në moshën 92-vjeçare, njoftoi Pallati i Buckinghamit me “pikëllim të thellë”.
“Ajo ndërroi jetë në paqe mbrëmë në Pallatin Kensington, e rrethuar nga familja e saj”, thuhej në një deklaratë të premten, ndërsa flamuri në Pallatin e Buckinghamit tani është ulur në gjysmë shtizë.
Dukesha, Katharine, ishte anëtarja më e vjetër e Familjes Mbretërore, e martuar me Princin Edward, Dukën e Kentit, një kushëri i parë i Mbretëreshës së ndjerë Elizabeth II.
Ajo do të mbahet mend si një figurë e njohur në kampionatin e tenisit të Wimbledonit, ku ndau trofe dhe ngushëlloi ata që kishin humbur, përfshirë edhe Jana Novotnën që qante në vitin 1993.
“Mbreti dhe Mbretëresha dhe të gjithë anëtarët e Familjes Mbretërore bashkohen me Dukën e Kentit, fëmijët dhe nipërit e tij në zi për humbjen e tyre dhe kujtojnë me dashuri përkushtimin e përjetshëm të dukeshës ndaj të gjitha organizatave me të cilat ajo ishte e lidhur, pasionin e saj për muzikën dhe empatinë e saj për të rinjtë”, tha Pallati, në një deklaratë që njoftonte vdekjen e saj.
Dukesha ishte një adhuruese e madhe e muzikës – mbështeste bamirësitë muzikore dhe jepte mësime muzike në një shkollë fillore në Hull, ku nxënësit nuk dinin asgjë për identitetin e saj mbretëror dhe ku ajo njihej si “Zonja Kent”.
E lindur si Katharine Worsley, nga një familje aristokratike pronare tokash në Yorkshire, dukesha u bë pjesë e Familjes Mbretërore në vitin 1961 kur u martua me Dukën e Kentit, një nip i Mbretit George V.
Princesha Anne ishte midis shoqërueseve të nuses në dasmën e tyre në York Minster, me Mbretëreshën e ndjerë Elizabeth II dhe Princin Charles në kongregacion.
Dukesha mori përsipër një sërë detyrash mbretërore, por gjatë gjithë jetës së saj ajo gjithashtu ndërtoi një rrugë individuale. Ajo u bë katolike në vitin 1994, familja e parë mbretërore që u konvertua në katolicizëm për më shumë se 300 vjet, duke e përshkruar atë si “një vendim personal të menduar gjatë”.
Dukesha u prit në kishën katolike nga Kryepeshkopi i atëhershëm i Westminsterit, Kardinali Basil Hume.
Ajo u bë vullnetare në organizatën bamirëse për të pastrehët Passage, të cilën Kardinali Hume kishte ndihmuar ta ngrinte – dhe së cilës tani i jepet mbështetje e profilit të lartë nga Princi i Uellsit.
(BalkanWeb)
