Në zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë të dielë në Kosovë, asnjë parti politike nuk arriti të shpallej fituese absolute. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në 21 komuna, gara zgjedhore përfundoi në raundin e parë, ndërsa në 17 të tjera do të zhvillohet balotazh. Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, është në mesin e komunave që do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor, kur do të përballen Përparim Rama nga LDK-ja dhe Hajrullah Çeku nga Lëvizja Vetëvendosje. Në raundin e parë, LVV-ja dhe PDK-ja fituan në tre komuna, LDK-ja në dy, AAK-ja dhe Nisma fituan nga një komunë. KQZ-ja tha se pret që brenda javës të përmbyllë numërimin e të gjitha votave, përkatësisht të asamblistëve, votave me kusht, të personave me nevoja të veçanta dhe me postë.
Sipas të dhënave paraprake nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, garën pa balotazh e fitoi në tri komuna Lëvizja Vetëvendosje (Podujevë, Kamenicë dhe Shtime), po aq sa edhe Partia Demokratike e Kosovës (Ferizaj, Skënderaj, Hani i Elezit). Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi në dy komuna (Lipjan, Istog). Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e siguroi fitoren në Deçan, ndërsa Nisma në Malishevë.
Në Mamushë fitoi kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), ndërsa Lista e Ramiz Lladrovcit siguroi fitoren në Drenas.
Lista Serbe fitoi në 9 komunat e banuara me shumicë serbe, ndërsa në Kllokot prin, por shkon në balotazh me Unitetin Kombëtar Serb.
