Deputeti i PD, Belind Këlliçi nëpërmjet një reagimi në Facebook është ndalur te problematikat në vend. Që nga skandalet qeveritare, te rritja e çmimeve dhe mungesa e mbështetjes ndaj fermerëve.

Në statusin e tij, Këlliçi shkuan se kryeministri Edi Rama ‘gjen gjithnjë strehë për t’u fshehur dhe gënjyer’.

Ai akuzon kryeministrin për korrupsion duke theksuar se nuk punon për qytetarët shqiptare, por është kthyer në mikun e bandave, shefin e Ergys Agasin që verën e pinë 33 mijë euro shishja.

REAGIMI I PLOTË;

Jo, Edi Rama ti nuk je nga Surreli!

Edi Rama u shpreh sot në një takim me fermerë në Dibër, se ai është katundar nga Surreli, si ata. Në mesin e krizës, të aferave e skandaleve qeveritare, Kryeministri gjen gjithnjë një strehë për t’u fshehur dhe gënjyer!

Tani po thotë se është nga Surreli, duke lënë të kuptohet se nuk ka lidhje me ato që ndodhin në Tiranë, në bulevard, në zyrat qendrore të shtetit, se i përket një bote tjetër, se qenka larg, i pafajshëm, dhe sheh punën e tij. Një alibi qesharake dhe fyese për ata që rreshton për dekor e për ata që e dëgjojnë.

Ti nuk je nga Surreli kur të intereson, kur kërkon t’i ikësh përgjegjësisë.

Ti je shefi i Belindës, me të cilën ke organizuar gjithë tenderat dhe ndarjen e parave për të cilat ajo është e pandehur zyrtarisht për abuzim me 1.1 miliardë euro.

Ti nuk je nga Surreli, je ai që urdhërove 82 vota në Kuvend për të mbrojtur bashkëpunëtoren në krim dhe për të ndalur drejtësinë.

Ti je autori i ngecjes së negociatave, kapitulli për shtetin ligjor nuk po mbyllet pikërisht prej akteve të tua, ndërsa Mali i Zi po bëhet gati të ulet në tryezë me BE për të firmosur marrëveshjen e anëtarësimit.

Ti je shefi i Mirlindës së AKSHI-t, për të cilën dole garant në publik se është e pafajshme, është e varfër dhe nuk ka përfituar nga taksat e qytetarëve. Dhe nuk je nga Surreli, tani që SPAK vërtetoi se ajo ishte pjesë e pasurisë 40 milionë euro të ngritura me korrupsion.

Nuk je nga Surreli, kur kapet Ministri yt i Jashtëm duke fyer rëndë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.

Nuk je nga Surreli, pasi me veprimet e tua korruptive, po e lë Shqipërinë pa port, pasi atë historikun e ndave me Alabarin për kulla, ndërsa i riu nuk ka nisur, duke u bërë pengesë për Koridorin 8 e duke i shkaktuar vendit dëme të mëdha ekonomike.

Ti nuk je nga Surreli, por je përgjegjës për qindra milionë euro që paguajnë shqiptarët për arbitrazhet e humbura nga trillet e tua personale si në rastin Beketi.

Nuk je nga Surreli, je përgjegjës për bllokimin e 130 milionë eurove të programit IPARD për fermerët, pasi nën qeverisjen tënde u vodhën 33 milionë euro, ndihmë nga BE.

Ti nuk je nga Surreli, por je shefi i Gysit dhe e pi verën 33 mijë euro shishja.

Je shoku i Ronit dhe McGonigal që janë në gjyq në Amerikë për krime e mashtrime.

Je ai me avion privat që sheh ndeshje me 22 mijë dollarë bileta në USA, askush nga Surreli nuk e bën dot.

Je miku i bandave të vendit, nuk je nga Surreli.

S’ke asgjë të përbashkët me banorët punëtorë e të ndershëm të Surrelit, Dibrës e kudo në Shqipëri që ja dalin me punën e mundin e tyre.

Je burim i korrupsionit dhe krijues i narkoshtetit!

Dhe nuk do t’i shpëtosh dot kësaj përgjegjësie, edhe nëse fshihesh në sarajet e bunkerta të Surrelit, të cilat nuk i justifikon dot se me çfarë i ke ndërtuar.

Mashtrues kronik!

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: