Të shtëna me armë zjarri pranë mbikalimit të Rinasit. Nga të dhënat paraprake, mësohet se një person ka mbetur i plagosur.
Ngjarja ndodhi në parkingun e Megatek. Burimet bëjnë me dije se sherri ka nisur mes dy personave për motive banale, ndërsa njëri prej tyre ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar me armë në këmbë tjetrin.
Sipas burimeve, i plagosuri është Fabjo Arifaj, 25 vjeç, ndërsa Grisja Latifaj, 22 vjeç ka pësuar lëndime pasi është goditur me sende të forta.
Sakaq, mësohet se i plagosuri nuk është treguar bashkëpunëtor me policinë në momentin kur është marrë në pyetje.
Ndërkohë, autori i plagosjes është arratisur nga vendngjarja, ndërsa policia po këqyr kamerat e sigurisë.
Njoftimi i Policisë:
Vorë/Informacion paraprak
Rreth orës 13:50, tek mbikalimi i Domjes, gjatë një konflikti për motive të dobëta dyshohet se është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi F. A., rreth 25 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën si dhe është dëmtuar dyshohet me sende të forta shtetasi G. L., rreth 22 vjeç, i cili po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje/dalje të kryeqytetit dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.
