Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ishte një nga zërat në protestën e mbajtur sot në Sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-krerëve të saj që po gjykohen në Hagë.
Në një deklaratë për mikrofonin e News24, Musliu tha se populli shqiptar ka dalë në rrugë për të kundërshtuar padrejtësitë që, sipas saj, po bëhen ndaj heronjve të luftës çlirimtare.
“Kur bëhet padrejtësi, duhet të flasë populli. Populli shqiptar sot po flet ndaj padrejtësive që po bëhen ndaj liderëve të UÇK-së në Hagë. Heronjtë tanë nuk kanë bërë krime. Gjenocid ka bërë Serbia,” u shpreh Musliu.
Ajo theksoi se çdo shqiptar që është falënderues për lirinë e fituar duhet të jetë aktivisht pjesë e protestave, duke i cilësuar sheshet si vendi i duhur për të mbrojtur dinjitetin kombëtar dhe historinë e UÇK-së.
“Sot çdo shqiptar që është falënderues për lirinë tonë duhet të jetë në sheshet protestuese kudo,” shtoi ajo.
Musliu gjithashtu falënderoi Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, për qëndrimin e tij në mbështetje të UÇK-së.
“Faleminderit Kryeministrit shqiptar Edi Rama që ka mbështetur UÇK-në që në nisjen e Gjykatës Speciale dhe ka qenë kundër saj,” tha ajo.
Protesta në Tiranë mblodhi qytetarë nga trevat shqiptare dhe diaspora, të cilët kërkuan drejtësi për luftën e UÇK-së dhe lirimin e liderëve të saj të arrestuar në Hagë, përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
