23-vjeçari shqiptar, Hekuran Cumani u vra në parkingun e Fakultetit të Matematikës në Universitetin e Perugias. Mediat italiane shkruajnë se ai kishte mbërritur dje nga rajoni i Marche me një grup miqsh për të kaluar një mbrëmje në kryeqytetin e Umbrisë. 23-vjeçari jetonte në Fabriano.
Ata vizituan disa bare dhe më pas përfunduan në ambientet e një lokali nate të quajtur “110 Caffè”, të vendosur përballë parkingut ku u vra.

Në një moment të caktuar gjatë mbrëmjes, ata u takuan me një grup njerëzish, me sa duket të huaj, por banorë të Perugia-s, me të cilët u grindën jashtë klubit ku edhe humbi jetën i riu më vonë. Arsyet e grindjes, në të cilën me sa duket u përfshinë disa persona, po hetohen nga policia.

Nuk kishte asgjë që mund të bëhej për t’i shpëtuar jetën viktimës, me origjinë shqiptare, por shtetas italian.
Ai vdiq në parking pasi u godit me thikë në qafë, plagë e cila rezultoi fatale. Policia ka intervistuar tashmë të gjithë miqtë e tij që ishin dëshmitarë në vendin e ngjarjes dhe ata kanë dhënë informacione të dobishme për identifikimin e vrasësit.

