Protesta e minatorëve në minierën e Spaçit ka hyrë në ditën e 27-të.
Ende nuk ka reagim nga kompania “Tete Albania”, ndërsa edhe 40 të tjerë janë shkarkuar nga puna. Kompania refuzon të dialogojë me punonjësit, ndërsa i akuzon ata se duke ndërprerë punën i kanë shkaktuar dëm ekonomik. Kompania ka njoftuar shkarkimin e punonjësve me shkresa individuale.
Edhe më herët kompania ka shkarkuar 16 minatorë, pas nisjes së protestës.
Minatorët shprehen se do të vazhdojnë qëndresën deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Ata kërkojnë përmbushjen e kërkesave të tyre kryesore, siç është njohja ligjore e sindikatës që kanë krijuar vetë dhe nënshkrimi i kontratës kolektive të punës.

