Identiteti i personit që u gjet i karbonizuar brenda një automjeti të djegur, pasditen e së premtes në zonën Skourta të Viotias, mbetet ende i panjohur. Automjeti ishte braktisur në një zonë të thellë e të izoluar, e cila mund të arrihej vetëm përmes një rruge rurale në gjendje të keqe.

Sipas burimeve policore, një shtetas shqiptar, me profesion punëtor ndërtimi, është raportuar i zhdukur në zonë. Megjithëse më herët nuk kishte pasur asnjë njoftim zyrtar për zhdukjen e tij, mediat greke raportojnë se ai ishte larguar nga Vilia dhe kishte udhëtuar drejt Skourtas me automjetin e tij, i cili më vonë u gjet i braktisur në fshat.

Autoritetet greke pritet të krahasojnë ADN-në e trupit të gjetur me atë të të afërmve të shqiptarit të zhdukur, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për të njëjtën person.

Hetimet kanë zbuluar se automjeti ku u gjet trupi ishte vjedhur më herët në zonën e Glyfadës dhe mbante targa të falsifikuara. Sipas mediave greke, trupi ndodhej në sediljen e pasme dhe viktima kishte duart e prangosura.

Rrethanat e ngjarjes, izolimi i vendit, prangosja e viktimës dhe djegia e automjetit, forcojnë dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëorganizuar kriminal. Hetimet po vijojnë me prioritet maksimal nga autoritetet greke.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: