Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur sot Bedri Hamzën si kryetarin e ri të saj, në një proces votimi të cilin partia e ka përmbyllur pa asnjë votë kundër.
Me këtë rezultat unanim, Hamza merr drejtimin e PDK-së pas dorëheqjes së Memli Krasniqit, ndërsa pritet të japë drejtim të ri strategjisë së partisë në prag të zhvillimeve të ardhshme politike dhe zgjedhore.
Hamza, në fjalimin e tij të parë si kryetar, falënderoi delegatët dhe anëtarësinë për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do t’i prijë partisë me përkushtim, përgjegjësi dhe vizion të qartë.
“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, u shpreh Hamza.
Ai tha se Kosova tani ka nevojë për një PDK të bashkuar, të hapur dhe të afërt me qytetarët.
“Do ta hapim partinë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona, do të përfshijmë më shumë të rinj dhe do të ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe përgjegjësisë që i duhet Kosovës. Ne do të ecim vetëm përpara, me guxim dhe vendosmëri”, tha kryetari i sapozgjedhur.
Hamza u zotua se do t’i japë partisë “gjithçka që mundet”, duke falënderuar anëtarësinë për angazhimin dhe besimin.
“Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, përfundoi ai.
