Rama e paralajmëroi në konferencën për shtyp me Marta Kos kërkesën që do të depozitohej në Gjykatën Kushtetuese për të gjetur drejtësi pas vendimit të një institucioni të drejtësisë. Vendimin e GJKKO ndaj Belinda Ballukut, edhe pse tha se do të respektohet, ai e vlerësoi si ndërhyrje brutale dhe cenim të pavarësisë së ekzekutivit. Edhe pse deklaroi se qeveria dhe mazhoranca që drejton respektojnë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë, Rama u shpreh tejet kritik ndaj SPAK dhe GJKKO, për të cilat tha se po tregojnë shfaqje dobësie dhe reflekse antidemokratike.
Në kushtet kur qeveria pranon, sipas Ramës, vendimin e pezullimit të Ballukut nga detyrat publike, pozicionet e saj në qeveri do të mbeten të paplotësuara dhe kabineti do të ketë mangësi.
Rama i bëri deklaratat në konferencën për shtyp së bashku me Komisioneren për Zgjerim në BE, Marta Kos. Kjo e fundit, edhe pse nuk komentoi akuzat që rëndojnë mbi Ballukun apo vendimin e Gjykatës së Posaçme, tha se zgjidhjet gjenden në gjykata.
Kryeministri Edi Rama tha se në asnjë vend të BE-së nuk ndodh që funksionarët të pezullohen nga detyra ndërsa hetimi ende s’ka përfunduar.
Rama: Do të kërkojmë mbrojtjen e funksionimit të cenuar të qeverisë vetëm te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këta jemi ne. Ky jam unë. Dhe kështu do jetë deri në fund, sa kohë që unë kam privilegjin të udhëheq Shqipërinë drejt anëtarësimit në BE. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme është prioriteti ynë absolut.
