Qeveria e kancelarit Friedrich Merz do të kufizojë ndihmën për ukrainasit në Gjermani. Kancelari Merz i ka kërkuar gjithashtu Presidentit të Ukrainës, Zelenski, që të kujdeset për kufizimin e ardhjes së ukrainasve në Gjermani.
Jam lidhur tani në Gjermani, me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje.
Çfarë është vendosur konkretisht në Gjermani për refugjatët ukrainas të luftës?
A.Dodi: Fillimisht dua të them se për momentin nuk bëhet fjalë për kthimin në atdhe nga Gjermania, të ukrainasve. Pra është diskutim i ndryshëm nga diskutimi që bëhet këtu për riatdhesimin e sirianëve.
Konkretisht është fjala për një projektligj për ndihmën për refugjatët ukrainas, që qeveria gjermane e miratoi të mërkurën (19.11.). Projektligji parashikon ndryshimin e shkurtimin, e llojit të mbështetjes që marrin ukrainasit në Gjermani.
Deri tani 1.2 milionë ukrainasit që erdhën në Gjermani pas nisjes së luftës në Ukrainë, në vitin 2022, marrin ndihma sociale e mbështetje njësoj sikur të ishin shtetas gjermanë. Por kjo i ka rënduar sistemet gjermane.
Ndaj tani u vendos ukrainasit, që kanë hyrë në Gjermani pas 1 prillit 2025, në të ardhmen të marrin përfitimet e azilkërkuesve, në vend të ndihmës sociale, që marrin qytetarët gjermanë. Këtë kancelari Friedrich Merz ia shpjegoi në një bisedë telefonike (15.11.) edhe Presidentit ukrainas Zelenski.
Pra bëhet fjalë thjesht për shkurtim ndihmash, e palidhur kjo me planin aktual të paqes të SHBA për Ukrainën?
A.Dodi: Po. E ardhmja përfundimtare e planit të paqes ende nuk dihet. Kancelari Merz do të telefonojë për këtë me Presidentin amerikan Trump – për të marrë sqarime.
Kemi të bëjmë pra me shkurtimin e ndihmës për ukrainasit në Gjermani, që konkretisht nënkupton një reduktim, prej rreth 120 eurosh në muaj, për ukrainasit që kanë ardhur në Gjermani pas 1 prillit të këtij viti. Refugjatët e ardhur më herët, do të marrin, si deri tani, ndihmën sociale që marrin gjermanët.
Me fjalë të tjera: ukrainasit pa familje, deri tani, marrin rreth 560 euro në muaj. Plus shpenzimet për qira dhe ngrohje falas, si dhe sigurimin shëndetësor falas. Në të ardhmen, ndihma shtetërore për ukrainasit e ardhur pas 1 prillit do të reduktohet në rreth 440 euro. Do të kufizohet edhe ndihma mjekësore për ta.
A synon qeveria gjermane të dërgojë me këtë hap një sinjal për ukrainasit e rinj që duan të vijnë në Gjermani, apo ka arsye të tjera?
A.Dodi: Po, po, fillimisht: në marrëveshjen e koalicionit qeveritar, që u nënshkrua në pranverë midis konservatorëve CDU/CSU dhe Socialdemokratëve, u ra dakord të ulen kostot për Gjermaninë dhe që Gjermania të bëhet më pak tërheqëse për refugjatët.
Mendoj megjithatë se një faktor i rëndësishëm që e përshpejtoi vendimin, ishte një zhvillim: në gusht 2025 Kievi hoqi ndalimin e udhëtimit për meshkujt nën moshën 22 vjeç. Që atëherë, një numër shumë i madh i tyre po vijnë në Gjermani.
Kancelari Merz i kërkoi për këtë arsye Presidentit Zelenski të “sigurojë që veçanërisht të rinjtë nga Ukraina të mos vijnë në Gjermani në numër të madh, por të shërbejnë në vendin e tyre”.
A ndodhet Merzi nën presion në Gjermani për ukrainasit?
A.Dodi: Friedrich Merzi plotëson me këtë nga njëra anë premtimet që bëri në fushatën zgjedhore.
Por natyrisht, masa është pjesë e debatit të gjerë mbi refugjatët dhe migrantët në Gjermani. Edhe 1,2 milionë refugjatët ukrainas të ardhur këtu që nga fillimi i luftës , përbëjnë një barrë të konsiderueshme për sistemin gjerman.
Si gjithmonë, partia populiste e djathtë AfD ushtron presion me çështjen e refugjatëve. Prandaj ekspertët e shohin reformën e ndihmës edhe si mesazh për votuesit e mundshëm të AfD-së.
E pranishme në debat është edhe përplasja ideologjike, që shoqëron gjithmonë temën e migrantëve: një pjesë e madhe e gjermanëve, dhe konservatorët, kërkojnë kufizimin e ardhjes së gjithë migrantëve. Kurse parti të majta mendojnë që njerëzit nga vendet më të varfra, kanë të drejtë të emigrojnë në vendet e pasura, si dëmshpërblim për krimet koloniale.
Pse i drejtohet Merzi drejtpërdrejt Zelenskit lidhur me ukrainasit në Gjermani?
A.Dodi: Kjo sepse Gjermania dëshiron të vazhdojë t’i mbështesë ukrainasit. Dhe këtë e bën këtë më shumë se çdo vend tjetër evropian.
Por, kujtoj deklaratën e Presidentit të Gjermanisë Gauck në vitin 2015, në valët e mëdha të atëhershme të refugjatëve: “Zemrat tona janë të mëdha, por mundësitë tona janë të fundme.” Ekziston një tension midis qëllimeve humanitare dhe kapaciteteve reale.
Sa të integruar janë refugjatët ukrainas në tregun gjerman të punës?
A.Dodi: Kuota e punësimit të refugjatëve ukrainas nga lufta në Gjermani ishte 51% në verën e këtij viti. Kjo përsa u përket ukrainasve të moshës midis 20 dhe 64 vjeç. Që kanë mbërritur në Gjermani në fillim të luftës.
Në dy vitet e para, integrimi i ukrainasve në tregun gjerman të punës ishte relativisht i ngadaltë. Por u përshpejtua në vitin e tretë. Këtë e raportoi Instituti Federal për Kërkime Demografike, që bëri një studim. Instituti bëri të ditur se me përmirësimin e aftësive në gjuhën gjermane, u reduktua vonesa në hyrjen në tregun e punës.
A duan ukrainasit të kthehen në atdhe nga Gjermania? Sa e madhe është gatishmëria e ukrainasve vetë për t’u kthyer?
A.Dodi: Sipas një studimi të Institutit Ifo të Mynihut, të kryer në tetor 2025, në 30 shtete evropiane: një në dy refugjatë nga Ukraina do të ishin të gatshëm të ktheheshin në atdhe. Por po të plotësohen kushte të caktuara, si rivendosja e kufijve të vitit 1991, garancitë e sigurisë së NATO-s dhe perspektiva e anëtarësimit në BE për Ukrainën.
Kurse gatishmëria e refugjatëve ukrainas të Gjermanisë për të qëndruar këtu është mjaft më e madhe.
Një studim i Zyrës Federale për Migrimin dhe Refugjatët i vitit 2023/24 ka evidentuar se 59% e atyre që u larguan në muajt e parë të luftës- dhe 69% e atyre që mbërritën më vonë nuk kanë interes të kthehen në Ukrainë.
