Deklaratat e vazhdueshme të Maks Vershtapenit dhe aludimet e tij se mund të largohet nga Formula 1 pa shumë zhurmë në fund të vitit 2026 janë çelësi kryesor që mund të hapë “kutinë e surprizave” në tregun e pilotëve për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, të gjithë janë në pritje për të kuptuar nëse katër herë kampioni i botës flet seriozisht, apo thjesht po përpiqet të ulë tensionin për shkak të një makine jo konkurruese njëvendëshja RB22 e Red Bullit. Ose, ndoshta, ai ka vërtet ndërmend të largohet nga F1, pavarësisht shanseve për të fituar në vitet e ardhshme me ekipin e tij.
Disa pilotë të mëdhenj përballen me vendime të rëndësishme gjatë vitit 2026, nëse do të qëndrojnë në ekipet aktuale apo do të kërkojnë një ndryshim për të përmirësuar karrierën e tyre. I pari është Luis Hamilton, i cili mund të zgjedhë të vazhdojë me Ferrarin ose të largohet (ndoshta edhe të tërhiqet). Po ashtu, Fernando Alonso përfundon kontratën me Aston Martinin dhe duhet të vendosë për të ardhmen, ndërsa Karlos Sainz mund të zgjedhë midis vazhdimit me Uilliamsin apo një aventure të re. Nëse Verstappen nuk lëviz, është e vështirë të imagjinohen ndryshime të mëdha në merkato. Por nëse ai largohet, do të shkaktohej një efekt domino me pasoja të paparashikueshme. Një vend i lirë te Red Bulli do të ishte jashtëzakonisht i lakmuar. Edhe pse ekipi nuk ka nisur mirë me rregullat e reja, besohet se kjo situatë nuk do të zgjasë. Red Bulli ka burime, financa dhe ambicie për t’u rikthyer në majë shumë shpejt. Sipas “The Race”, një largim i Vershtapenit do të ndizte një seri lëvizjesh zinxhir, disa të pritshme, të tjera krejt të papritura.
LARGIMET – Vershtapen mund të largohet për shkak të zhgënjimit me makinat e reja dhe mënyrën e drejtimit të tyre. Po ashtu, Franko Kolapinto mund të mbetet jashtë për shkak të performancës së dobët. Megjithatë, kjo e fundit duket më pak e mundshme, pasi ndikimi i tij në marketing dhe përfitimet ekonomike për Alpine janë të konsiderueshme, duke tejkaluar aspektin thjesht sportiv.
AFRIMET – Një ardhje e mundshme është ajo e Nikola Tsolov, pjesë e menaxhimit A14 të Fernando Alonsos, që mund të bashkohet me Racing Bulls. Talenti i pilotit të ri bullgar konsiderohet i jashtëzakonshëm. Një tjetër risi mund të jetë rikthimi i Juki Tsunodës, i cili, me mbështetjen nga Toyota, mund të përfundojë te Haas, përkrah Oli Bearman.
LËVIZJET – Ka edhe parashikime më të diskutueshme, si transferimi i Esteban Okon te Uilliamsi për të zëvendësuar Aleks Albonin. Ndërkohë, Karlos Sainz shihet si një kandidat real për një vend te Red Bulli, nëse lirohet. “The Race” sugjeron gjithashtu që i riu Arvid Lindblad mund të zëvendësojë Vershtapenin, një ide që duket mjaft e guximshme duke parë përvojën e kufizuar të tij. Një tjetër lëvizje e mundshme është kalimi i Aleks Albon te Alpine, ndonëse kjo do të varej nga një largim i Kolapintos, gjë që duket pak e mundshme.
PARASHIKIMI SPANJOLL – Ndërkohë, sipas parashikimit të gazetës spanjolle “MARCA”, Vershtapen do të qëndrojë te Red Bulli, sidomos pasi babai i tij Jos Vershtapen ka lënë të kuptohet një gjë të tillë. Ai ka ende kontratë për disa vite, me një pagë rreth 65 milionë dollarë në vit. Nga ana tjetër, Luis Hamilton pritet të vazhdojë me Ferrari, pasi synon të fitojë titullin e tij të tetë botëror dhe të vendosë një rekord historik. Një kalim i britanikut te Red Bulli do të ishte i mundur vetëm në rast të një largimi të papritur të Vershtapenit.
