Sezoni i rregullt 2025-2026 në Kategorinë e Parë po shkon drejt fundit dhe, kur kanë mbetur edhe tre javë për t’u luajtur, shumica e verdikteve mbeten ende të hapura. 270 minutat e fundit premtojnë një luftë të fortë sportive, ku çdo pikë mund të rezultojë vendimtare për fatet e skuadrave, si për ngjitjen në elitë, ashtu edhe për objektiva të tjera.

Java e 31-të do të luhet e gjitha të dielën në orën 15:00 dhe pritet të jetë një nga më përcaktueset e sezonit. Në fokus është gara për ngjitjen në Kategorinë Superiore, ku gjithçka mund të marrë një drejtim të qartë që këtë fundjavë. E gjithë vëmendja do të jetë në Laç, ku skuadra vendase, që mban vendin e dytë, pret Pogradecin e vendit të tretë. Kjo përballje direkte mes dy ndjekësve kryesorë mund të ndikojë drejtpërdrejt në fatin e kreut. Një hap fals i njërës apo të dyja skuadrave do t’i hapte rrugë festës së parakohshme të Skënderbeut. Skuadra korçare, që kryeson kampionatin që nga java e parë deri në të 30-ën, do të presë në shtëpi Kastriotin. “Bardhekuqtë” kanë një objektiv të vetëm, fitoren.

Nëse arrijnë të marrin tre pikët dhe njëkohësisht Laçi me Pogradecin nuk prodhojnë një fitues, atëherë Skënderbeu do të sigurojë matematikisht ngjitjen në Superiore, duke mbyllur para kohe një sezon dominues. Aktualisht, Skënderbeu kryeson me 73 pikë, tre më shumë se Laçi i vendit të dytë, duke e pasur fatin plotësisht në dorën e tij. Edhe nëse rivalët fitojnë, korçarët mbeten favoritë absolutë, pasi në dy javët e fundit do të përballen pikërisht me ndjekësit direkt: fillimisht në transfertë ndaj Pogradecit dhe më pas në shtëpi ndaj Laçit. Pavarësisht se si do të përfundojë sfida Laçi-Pogradeci, një gjë është e sigurt, Skënderbeu është shumë pranë rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, ndërsa java e 31-të mund të jetë momenti i shumëpritur i kurorëzimit. Pra, aventura e korçarëve në Kategorinë e Parë mund të rezultojë thjesht kalimtare.

12 trofe elitar mori Skënderbeu me vete gjatë zbritjes në Kategorinë e Parë. Skuadra korçare ka arritur që të fitojë tetë tituj kampion në Kategorinë Superiore, një Kupë të Shqipërisë, si dhe tre Superkupa

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb