Hyrja në një realitet të mundshëm
Udhëtimi në kohë drejt vitit 2034 nuk kërkon sforcim të madh dhe aftësi të vëçanta fantashkence – mjafton të ndjekim vijën logjike të asaj që po ndodh sot. Nëse në 16 Dhjetor, në takimin e Ministrave të Jashtëm të Greqisë dhe Shqiprisë do të nënshkruhet marrëveshja srategjike, e cila përfshin edhe marrëveshjen për kufirin detar me Greqinë, sipas trajektores aktuale politike, viti 2034 nuk do të jetë më një vit i zakonshme, por pika e transformimit të Shqipërisë nga nocioni i shtetit sovran në paradigmën e “realizmit politik” – një nocion i ri i cili synon të mbulojë dorëzimin e pakushtëzuar nën presion të jashtëm dhe tradhti të brendshme. Ky transformim nuk është abstrakt; është rezultat i proceseve që tashmë janë vënë në lëvizje dhe të cilat do të përfundojnë para se Shqipëria të jetë pranuar në BE.

Imagjinoni të udhëtoni nga Tirana drejt jugut në verën e vitit 2034. Zona që sot formalisht quhet “minoritare” është shndërruar në një hapësirë të zgjeruar administrativisht, ekonomikisht dhe mediatikisht. Aty ndihesh i inicializuar përmes treguesve simbolikë që të kujtojnë se në letër ndodhesh në territor shqiptar, por në realitet ndodhesh në një zonë të mbuluar nga struktura të shtetit grek. Tabelat e toponimeve janë dygjuhëshe, por greqishtja dominon dhe shqipja shfaqet vetëm si shtesë. Telefoni kalon automatikisht në operator grek sapo kalon një vijë të padukshme. Mediat që shihen masivisht janë greke, arkitektura fetare dhe publike është greke, ndërsa gjuha shqipe kufizohet në përdorim funksional dhe gjithnjë e më pak në nivel identitar. Kjo tablo e vitit 2034 nuk është imagjinare, por një formalizim i asaj që tashmë ekziston në hije.

Screenshot 115
Screenshot 115

Konsolidimi i varësisë ekonomike si strategji e copëtimit të ngadaltë
Ridizajnimi i hartës detare pas nënshkrimit të marrëveshjes i ka zhvendosur burimet strategjike të Shqipërisë në juridiksionin grek. Pasuritë nënujore, përfshirë naftën, gazin dhe burime të tjera të rëndësishme, nuk janë më nën kontrollin e Tiranës. Shqipëria në vitin 2034 nuk është aktore në këtë tryezë, por spektatore që shikon burimet e saj duke u shfrytëzuar prej të tjerëve. Peshkatarët shqiptarë janë përballur me tatime të reja, me devijime të gjata të rrugëve detare dhe me rritje shpenzimesh, duke e bërë aktivitetin e tyre jo-fitimprurës. Shumë prej tyre kanë mbyllur veprimtarinë ose kanë emigruar, ndërsa ata që mbeten punojnë në varësi sezonale nga kompanitë greke. Edhe turizmi është vendosur në vartësi të projekteve industriale të shpimeve dhe tubacioneve, të cilat rrezikojnë çdo sezon veror dhe ia heqin bregdetit shqiptar pavarësinë mbi kalendarin e zhvillimit. Ndërkohë, ndotja e shkaktuar nga kroçerat greke vazhdon pa pengesa, sepse autoritetet shqiptare nuk kanë më kompetencë juridike ose moral të ndërhyjnë.

Iluzioni i stabilitetit: pse marrëveshja përkeqëson marrëdhëniet
Argumenti se marrëveshja detare do të sjellë stabilitet është iluzion. Brenda dekadës 2024–2034 marrëdhëniet shqiptaro-greke do të përkeqësohen në çdo drejtim. Athina vazhdon të mbajë në fuqi Ligjin e Luftës, intensifikon akuzat se Shqipëria po shkel të drejtat e minoritetit dhe e portretizon vendin si të pabesueshëm brenda NATO-s dhe të papjekur për anëtarësim të plotë në BE. Në vend që marrëveshja të hapë rrugë, ajo shndërrohet në një instrument presioni të përhershëm, i cili kushtëzon çdo hap të integrimit shqiptar me plotësimin e kërkesave të brendshme të Greqisë, duke e kthyer procesin e anëtarësimit në një litar të shtrënguar rreth qafës së Tiranës, “qafë” të cilën Tirana zyrtare e ka ofruar sa herë ka pasur hallin e vet. Por ky rregull e ka një përjashtim. Greqia i kishte vendosur kusht Shqipërisë: për ta mbështetur në akreditimin e MSA dhe mbështëtjen në NATO, në vitin 2009 Shqipërisë iu desh të nënshkruante marreveshjen e detit. Sapo u sigurua ratifikimi i MSA dhe mbështetja e Greqisë për në NATO, opozita shqiptare e çoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese, e cila më pas e anulloi këtë marrëveshje. Pretendohet se ka pasur një marrëveshje mes pushtetit dhe opozitës për këtë rreng, pretendim i cili forcohet edhe nga ambasadori amerikan i asaj kohe John Withers, i cili, sipas Wikileaks, në kablllogramin e tij dërguar Departamentit të Shtetit me datë 12 Shkurt 2010, thotë se Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë “…kishte dakordësinë e Kryeministrit për të anulluar këtë marrëveshje…”. Ka qenë ky momenti ku Greqia vendosi një rregull të ri në marëdhëniet e saj me Shqipërinë: nuk do hidhet asnjë hap përpara pa hedhur në fillim Shqipëria 5 hapa të sigurtë dhe të pakthyeshëm.

Inxhinjerimi demografik – minoritetit si arma kryesore
Në vitin 2034 “problemi i minoritetit grek” nuk paraqitet më thjesht si debat politik, por si mekanizëm presioni i bashkërenduar. Qarqe të caktuara nxisin incidente të vogla, tensione të qëllimshme dhe provokime të vazhdueshme që krijojnë atmosferë krize. Çdo reagim i shtetit shqiptar etiketohet si arbitrar, ndërsa çdo kompromis interpretohet si i pamjaftueshëm. Kërkesat rriten në mënyrë progresive, duke e bërë autonominë territoriale jo vetëm kërkesë, por si një zgjidhje të vetme përfundimtare për të mirën e të dyja vendeve. Në institucionet vendore fillojnë të krijohen struktura politike që e shtyjnë më tej narrativën e vetadministrimit, të mbështetur nga fushata të mirëorganizuara në mediat greke dhe lobet e jashtme. Për këtë janë bërë edhe testet përkatëse të cilat kanë rezultuar të suksesshme – zgjedhjet e pjeshme të vitit 2024 për Bashkinë e Himarës.

Kaosi i kontrolluar – goditja ndaj harmonisë fetare shqiptare
Harmonia fetare shqiptare, një aset i rrallë në Ballkan, shndërrohet në objekt manipulimi. Rrjete të radikalizuara në konflikte të ndryshme të cilët shpesh janë përdorur nga shërbimet dashakeqëse ndaj Shqipëtareve, përbëjnë një kontigjent me rendiment të lartë për t’u përdorur në të tilla raste. Të importuar dhe sponsorizuar nga jashtë, këto grupe nxisin tensione fetare që më pas përdoren si provë se Shqipëria paraqet rrezik ideologjik. Tashmë çdo përpjekje shqiptare atdhedashëse apo patriotike është njollosur si nacionalizëm i cili ka synim krijikmin e Shqipërisë së madhe, gjë e cila u injektua me sukses në fillim nga qarqet lindore. Këto grupe “nacionaliste” në Tiranë prodhojnë retorikë impulsive duke i dhënë Athinës justifikimin për të kërkuar ndërhyrje “për mbrojtje të minoritetit”. Ky kombinim i llogaritur mirë e kthen vendin në një lojë psikologjike ku minoriteti paraqitet si “të rrezikuar” dhe Greqia si “shpëtimtare”, duke e gërryer legjitimitetin e shtetit shqiptar. Në këtë dyzim, edhe ata qytetarë të cilët janë kundër këtij narracioni, përveç presionit ekonomik, vuajnë edhe një presion të lartë psikologjik dhe si pasojë në fund dorëzohën për një të ardhme më të “paqtë”.

Varfërimi i qëllimshëm dhe paraliza sociale si mekanizëm presioni
Në zonat ku minoriteti është i pranishëm, jeta ekonomike në vitin 2034 përkeqësohet në mënyrë të qëllimshme. Investimet publike vonohen qëllimisht, infrastruktura mbahet në nivel minimal, incidentet kundër pronës së minoritetit shfaqen në mënyrë sezonale dhe tensioni mbahet vazhdimisht i lartë. Në këtë realitet të ri të prodhuar, kërkesa për autonomi shfaqet si domosdoshmëri e popullsisë lokale, jo si projekt i shtetit grek. Kështu ndërtohet narrativa ndërkombëtare, në të cilën Tirana paraqitet si e paaftë dhe e papërgjegjshme, ndërsa Athina paraqitet si palë e arsyeshme. Kjo është tepër e lehtë nëse shikojmë paaftësinë e diplomacisë shqiptare, e cila shpesh i nënshtrohet mpirjes artificiale.

Lufta ligjore – precedenti detar që sjell precedentin tokësor
Në aspketin ligjor, Greqia i ka krijuar vetes lehtësira dhe instrumente të mëdha ligjor, si për përdorim të brendshëm ashtu edhe të jashtëm në rast të një përballjeje në një gjykatë ndërkombëtare. Mbajtja e ligjit të luftës në mënyrë të njëanshme nga ana e Greqisë nuk është një rastësi, harresë apo anashkalim nga ana e ligjvënësve grek. Është pikërisht ky ligj i cili siguron bazën ligjore për të ndaluar popullsisnë çame të kthehet në vendin e saj të mos jetë në gjendje të gëzojë pronat, të cilat i janë marrë në kuadër të spastrimit etnik. Nga ana tjetër ekziston një mjet ligjor I cili nuk është shfrytëzuar ende nga politika greke – mos ratifikimi i kufirit tokësor me Shqipërinë nga ana e parlamentit Grek. Këtij mjeti tashmë i ka ardhur koha të aktivizohet. Pas konsolidimit të precedentit detar, Athina përdor këtë boshllëk për të shtyrë përpara projektin e ridizajnimit të kufijve tokësorë. Krijohet mundësia e organizimit të një referendumi lokal të kontrolluar në zonat minoritare, i cili, nën ndikimin e propagandës, të frikës dhe të varfërisë, ka rezultat të parashikueshëm. Në këtë mënyrë, rreziku i shkëputjes së territorit nuk vjen nga lufta, por nga një proces i simuluar demokratik, i cili i jep legjitimitet ndërkombëtar veprimeve që në thelb janë aneksim politik, sipas formulës “Unë nuk po marr territor, atë po ma jep ligji”.

Kushti final i Athinës për bashkimin Shqipëri–Kosovë
Dëshira e shqiptarëve të Shqipërisë dhe Kosovës për të qenë të bashkuar është një aspiratë kombëtare e cila tashmë është edhe një detyrim ekonomik. Kjo aspiratë gjen mbështetje edhe nga shteti grek i cili është në pritje të krijimit të paralelizmës. Në librin e tij “Politika në kohe Krize” ish ministri i jashtëm i Shqipërisë Paskal Milo pohon se një diplomat britanik e ka paralajmëruar se: “Nëse nuk i zgjidhni problemet tuaja të brendshme, Shqipërisë do t’i rrezikohet veriu nga Kosova dhe jugu nga Greqia.” Në këtë rrethanë ku shqiptarët janë pranë një momenti historik për bashkim kombëtar, kushti i Athinës është i pandryshueshëm. Çdo bashkim mes Shqipërisë dhe Kosovës duhet të ecë paralelisht me bashkimin e zonave minoritare shqiptare me Greqinë. Në këtë mënyrë, aspirata kombëtare shqiptare shndërrohet nga një akt i sovranitetit në një transaksion territorial të detyruar, duke rikthyer praktikën e dhënies së territoreve për të ruajtur territor tjetër, por këtë herë të legjitimuar përmes retorikës së integrimit evropian.

2034: Viti i paralajmërimit kombëtar
Skenari i vitit 2034 nuk është profeci, por rezultat i një analize të ftohtë mbi faktet e sotme, mbi instrumentet juridike të papërfunduara, mbi precedentin historik të zhvendosjes së territoreve pa luftë dhe mbi mekanizmat e modernizuar të presionit ndërkombëtar. Ky vit mund të jetë momenti kur kuptojmë me vonesë çfarë kemi humbur ose momenti kur e ndryshojmë kursin përpara se të jetë tepër vonë. Ajo që është e padiskutueshme është fakti se askush nuk mund të thotë se nuk e dinte dhe për këtë shqiptarët mund të mos mjaftohen duke e vënë gishtin vetëm në kokë.

Deklaratë sqaruese
Qëndrimi i paraqitur në këtë analizë nuk synon në asnjë mënyrë popullin grek, me të cilin Shqipëria ndan histori, hapësirë gjeografike dhe detyrime fqinjësore. Kritika i drejtohet ekskluzivisht politikës shtetërore greke dhe mekanizmave të saj të ndikimit në rajon, të cilat shpesh operojnë përtej parimeve të reciprocitetit dhe barazisë ndërkombëtare. Respekti ndaj kombit grek mbetet i pacënueshëm; ajo që kundërshtoj është përdorimi instrumental i minoritetit, presioni diplomatik dhe krijimi i realiteteve të njëanshme juridike e territoriale në dëm të sovranitetit shqiptar. Fqinjësia e mirë dhe e ndershme mbetet parim themelor, por ajo kërkon dy aktorë të gatshëm të veprojnë me transparencë, ndershmëri dhe respekt të ndërsjellë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb