Intervista me Shkrim e Ambasadores Kineze Sh.S. Znj. Pang Chunxue me Mediat Shqiptare lidhur me Plenumin e 4-të të Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës
I. Plenumi i 4-të i Komitetit të 20-të Qendror të Partisë Komuniste të Kinës, i cili mbylli me sukses punimet kohët e fundit, ka ngjallur një interesim të gjerë ndërkombëtar. Skëlqesia Juaj znj. Ambasadorja, a mund të na prezantoni arritjet kryesore të këtij Plenumi?
Nga data 20 deri më 23 tetor të këtij viti, në Pekin u mbajt Plenumi i 4-të i Komitetit të 20-të Qendror të PKK-së. Duke marrë në konsideratë situatën e përgjithshme strategjike të rilindjes së madhe të kombit kinez dhe ndryshimet e mëdha të papara përgjatë një shekulli që po përjeton bota, plenumi analizoi në thellësi ndryshimet e mëdha dhe komplekse me të cilat përballet zhvillimi i vendit tonë. Rezultati më i rëndësishëm ishte miratimi i “Rekomandimeve të Komitetit Qendror të PKK-së për hartimin e Planit të 15-të Pesëvjeçar për Zhvillimin Ekonomik dhe Shoqëror të Vendit”, i cili parashtroi objektivat kryesore të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror kombëtar për pesë vitet e ardhshme, përcaktoi detyrat strategjike dhe masat e rëndësishme në 12 fusha të ndryshme, duke hartuar një projekt madhor dhe treguar rrugën për përparimin e vazhdueshëm të modernizimit të modelit kinez.
Ⅱ. A mund të na flisni shkurtimisht për planin pesëvjeçar të Kinës?
Një proverb shqiptar thotë: Gur gur, bëhet mur. Hartimi shkencor dhe zbatimi në vazhdimësi i planeve pesëvjeçare është një përvojë e rëndësishme e qeverisjes së PKK-së dhe një avantazh i rëndësishëm politik i socializmit me karakteristika kineze. Duke filluar nga Plani i parë Pesëvjeçar në vitin 1953, modernizimi në modelin kinez ka avancuar përmes realizimit të planeve të njëpasnjëshme pesëvjeçare, duke kaluar nga zgjidhja e nevojave bazë të jetesës në ndërtimin e një shoqërie relativisht të begatë, dhe më pas në promovimin e qëndrueshëm të begatisë së përbashkët, nga ndryshimi sasior në ndryshimin cilësor, duke ngritur vazhdimisht në nivele të reja zhvillimin ekonomik, kapacitetet teknologjike, dhe fuqinë e përgjithshme kombëtare të vendit.
III. Si e shihni perspektivën e zhvillimit të Kinës?
Në vitin 2024, PBB-ja e Kinës arriti në 134.9 trilion juanë (18.77 trilionë dollar amerikanë. Shënim i redaktorit) dhe parashikohet të kalojë 140 trilion juanë në vitin 2025. Për pesë vitet e ardhshme, ekonomia e Kinës ka një bazë të qëndrueshme, ka avantazhe të shumta, qëndrueshmëri të fortë dhe potenciale të madha; kushtet mbështetëse dhe tendenca themelore afatgjatë drejt përmirësimit mbeten të pandryshuara. Ne do të vazhdojmë të mbështesim udhëheqjen e gjithanshme të PKK-së, t’i përmbahemi parimit të vendosjes së popullit mbi gjithçka, të vazhdojmë me vendosmëri zhvillimin me cilësi të lartë, të thellojmë reformat në të gjitha aspektet, të kombinojmë një treg efektiv me një qeveri të aftë dhe të koordinojmë zhvillimin dhe sigurinë. Duke përqendruar përpjekjet në kryerjen e punëve tona, ne do të vazhdojmë të shkruajmë një kapitull të ri me dy mrekulli të mëdha : zhvillimin e shpejtë ekonomik dhe stabilitetin afatgjatë social.
IV. Si e vlerësoni rolin e Kinës në skenën ndërkombëtare?
Kina do të kontribuojë si force stabilizuese për zhvillimin ekonomik ndërkombëtar. Si ekonomia e dytë më e madhe në botë, për shumë vite me radhë Kina ka ruajtur një normë mesatare vjetore prej 30% të kontributit në rritjen vjetore ekonomike globale, është partneri kryesor tregtar i më shumë se 150 vendeve dhe rajoneve si dhe vendi i pare në botë për tregëtinë e mallrave. Gjatë Planit të 15-të Pesëvjeçar, Kina do të zgjerojë hapjen me botën në një nivel të lartë, duke krijuar një panorama të re bashkëpunimi me përfitime recikroke. Kina ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë “spirancë stabilizuese” dhe “burim i forcës lëvizëse” për ekonominë botërore.
Kina do të kontribuojë me projektin kinez në reformën e qeverisjes globale. Aktualisht, mentaliteti i Luftës së Ftohtë, hegjemonizmi dhe proteksionizmi po përhapen me shpejtësi dhe bota ka hyrë në një periudhë të re trazirash dhe ndryshimesh. Presidenti Xi Jinping ka paraqitur në mënyrë krijuese Nismën e Qeverisjes Globale, duke kontribuar me urtësinë kineze dhe duke ofruar projektin kinez për ndërtimin e një sistemi të qeverisjejes globale më të drejtë dhe më të arsyeshëm. Kina do të vazhdojë të mbështesë një multipolarizim botëror të barabartë dhe të rregullt, globalizimin ekonomik gjithëpërfshirës dhe me përfitime për të gjithë, të zgjerojë rrjetin e partneriteteve globale, të nxisë ndërtimin e marrëdhënieve të reja ndërkombëtare dhe të udhëheqë rendin ndërkombëtar drejt një qasje më të drejtë dhe më arsyeshme.
V. Çfarë mundësish sjell për Shqipërinë zhvillimi i Kinës?
Miqësia tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë është një pasuri e përbashkët e çmuar për dy vendet, që meriton të vlerësohet. Aktualisht, marrëdhëniet dypalëshe po zhvillohen mirë, shkëmbimet njerëzore po rriten vit pas viti, gjithnjë e më shumë produkte bujqësore shqiptare po eksportohen në Kinë dhe Kina vazhdon të jetë partneri i dytë tregtar i Shqipërisë.
Periudha e Planit të 15-të Pesëvjeçar është një fazë kyçe për Kinën për të hedhur një bazë të forte dhe për të bërë përpjekje të gjithëanshme drejt realizimit në thelb të modernizimit socialist. Shqipëria ndodhet gjithashtu në një fazë kyçe të zhvillimit kombëtar. Programi Qeverisës i publikuar nga qeveria shqiptare fokusohet në “Shqipërinë Europiane”, “Rritjen e qëndrueshme ekonomike” dhe “Mirëqenien për të gjithë”, duke identifikuar rreth 300 çështje prioritare dhe duke paraqitur një vizion të mrekullueshëm për Shqipërinë. Si Plani i 15-të Pesëvjeçar ashtu edhe Programi Qeverisës i Shqipërisë përmendin shpesh fjalë kyçe si “inovacion”, “ekonomi dixhitale” dhe “turizëm”. Kina është e gatshme të forcojë shkëmbimet në të gjitha nivelet me Shqipërinë, të shfrytëzojë sa më mirë mekanizma të tillë si nisma “Një Brez, Një Rrugë” dhe bashkëpunimi Kinë-Evropë Qendrore e Lindore, të zgjerojë bashkëpunimin në tregti, turizëm, bujqësi, kulturë dhe fusha të tjera, duke shkruar vazhdimisht kapituj të rinj të miqësisë tradicionale midis Kinës dhe Shqipërisë.
