Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, teksa situata në Kuvend nuk i ngjan asaj normales, pasi ka tensione të forta, kërkoi votim pa debat të rendit të ditës.
Peleshi hodhi në votim kërkesën, ndërkohë opozita kundërshtoi duke hedhur flakadanë në sallë. Vijojnë ende tensionet dhe përplasjet e forta. Për më tepër shihni videon.
Në fjalën e tij, Balla u shpreh me ironi se sjellja e opozitës lidhet me përpjekjen për të motivuar mbështetësit e saj që të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar, duke sakrifikuar debatin institucional dhe respektimin e procedurave parlamentare. “Me shpresën se do të motivohen mbështetësit e Partisë Demokratike për të shkuar në protestën e paralajmëruar, opozita po pengon zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit”, deklaroi Balla. Ai theksoi se, në respekt të plotë të procedurës parlamentare dhe bazuar në nenin 49, pika 1 e Rregullores së Kuvendit, mazhoranca gjendet në pamundësi për të zhvilluar diskutimet e parashikuara në agjendën e ditës, përfshirë edhe çështje të rëndësishme si lufta kundër krimit.
“Sot kemi pasur në axhendë diskutime të rëndësishme, përfshirë edhe luftën kundër krimit, por duket qartë se opozita nuk dëshiron debat dhe nuk lejon zhvillimin normal të seancës”, u shpreh Balla. Në këto kushte, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS i bëri thirrje Kuvendit që të procedohej sipas rregullores. “Ju lutem, të kalojmë menjëherë në votim, sipas propozimit tim”, përfundoi Balla.
