Tre persona janë arrestuar për tentativën e vrasjes së Mariglen Jatës të ndodhur pak javë më parë.
Në pranga kanë rënë Fatmir Frroku dhe dy bashkëpunëtorët e tij Izet Leka dhe Marsildo Ndoj.
Sipas burime, por edhe nga dëshmitë e marra ka rezultuar se sherri mes të plagosurit Mariglen Jata dhe të dyshuarit si autor, Fatmir Frroku ka qenë banal për shkak të sharjeve në Tik Tok. Frroku e akuzonte Jatën se përse ky i fundit e përmendte dhe e shante gjatë lidhjeve live në rrjetet sociale. Të dy kanë qenë miq më herët, por muajt e fundit nuk flisnin për shkak të këtyre debateve.
Mbrëmjen e 23 nëntorit, Jata u qëllua me armë zjarri pistoletë nga Frroku sapo ai hyri në rrugicën e lagjes në zonën e Institutit. Ndërsa si përkrahës së autorit të krimit, efektivë të komisariatit nr 3 arrestuan Izet Leka dhe Marsildo Ndoja.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i punës informative dhe ndjekjes së kryer nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me objektiv kapjen e autorit të plagosjes me armë zjarri, të shtetasit M. J., në rrugën “Ramadan Citaku”, më datë 23.11.2025, u finalizua operacioni “Akuza”.
Në kuadër të operacionit, u lokalizuan dhe u ndaluan shtetasit:
-F. F., 36 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”;
-I. L., 32 vjeç, pasi Gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi M. N., 30 vjeç, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi F. F. ka plagosur me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin M. J., dhe pas krimit është ndihmuar nga shtetasi I. L., për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
36-vjeçari u kap pas ndjekjes së automjetit me të cilin ai lëvizte bashkë me shtetasin M. N., nga Instituti deri në bulevardin “Nënë Tereza”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
