Në emisionin “Autokton” të autores Anila Ahmataj u transmetua dokumentari ‘Sofra e Kudhës Grehotit’, dasma në Sevaster, ardhja e sinixhinjve dhe ritet e respektit krahinor”
Në këtë rrëfim për Krahinen e Kudhës Grehotit, nuk mund të mbeten pa u përmendur zakonet dhe traditat popullore, ato rregulla të pashkruara që për shekuj me radhë kanë mbajtur në ekuilibër jetën shoqërore, morale dhe familjare të kësaj treve. Këtu në këtë krahinë marrëdhëniet mes njerëzve nuk janë drejtuar vetëm nga ligji i shtetit, por mbi të gjitha nga e drejta zakonore. Fjala e dhënë kishte peshë më të rëndë se çdo dokument, dhe besa ishte themeli mbi të cilin ndërtohej nderi i burrit dhe i familjes. Njeriu i Kudhës Grehotit, kur jepte fjalën, e mbante, pa kthim, pa justifikim.Martesat nuk bëheshin brenda fisit, lagjes apo fshatit. Krushqia kërkohej larg, në fshatra me emër të mirë, sepse lidhja martesore nuk ishte vetëm bashkim individësh, por aleancë familjesh. Fejesa e djalit kërkonte shpenzime të mëdha, ndërsa nusja vinte gjithmonë mbi kalë, kurrë mbi mushkë, sepse kali simbolizonte nder, pastërti dhe fillim të mbarë.
Kur nusja afrohej pranë shtëpisë së re, ndërronte rrugën për arsye simbolike, dhe në oborr i hidhej oriz, si shenjë pjellorie dhe begatie. I lyheshin gishtat me mjaltë, nën sqetull i vendosej një bukë gruri, shenjë e jetës së ëmbël dhe sofrës së mbushur. Të hënën në mëngjes hapej arka e pajës dhe shpërndaheshin peshqeshet, duke vulosur hyrjen e saj në familje.Dasma ishte festa më e madhe e jetës. Ajo fillonte ditë përpara, me këngë e valle. Kënga labe mbushte odat. Burrat këndonin të mbështetur në mure, kurriz më kurriz, ndërsa gratë qëndronin në dhoma të veçanta, duke ruajtur zakonet e hershme. Në këngën labe dalloheshin marrësi, kthyesi, isoja dhe më vonë hedhësi — një simfoni zërash që përfundonte gjithnjë me thirrjen e fuqishme “hej”.
Kur martohej vajza do te vinin sinixhinjt një dite para, priteshin me nder e me lezet nga njerëzit e shtëpisë e vllezëria.Numri i tyre zakonisht ishte 3, por kishte raste edhe 5.Vinte Dajua, xhaxhai dhe vëllai i dhëndrit. Shtrohej rakia, dhe i zoti i shtëpisë ngrinte i pari dollinë, duke uruar miqtë një nga një.Caktohej një drejtues muhabeti,i cili pasi kishte bërë prezantimin e njerëzve në sofër, do të drejtonte muhabetin. Pas prezantimit të dy palëve, nisnin mirësitē per njeri tjetrin, e bisedat e ngrohta. Sinixhinjt vinin mbi kuaj me shale, e sharkun hedhur kraheve. Alegria dhe gëzimi kalonte orë të tëra, pas mirësive fillonin dollint e pas dollive vinte buka, e shtruar në sofrë të madhe, ku hahej bashke, si shenjë barazie dhe vëllazërie. Ushqimi ishte i bollshëm, byrekë, mish, ëmbëlsira, gjithçka e përgatitur për të nderuar mysafirin.
