Një tregtare në zonën e 5 Majit, e cila u prek rëndë nga zjarri që përfshiu kapanonet, ka ngritur akuza të forta ndaj shërbimit zjarrfikës dhe mënyrës së menaxhimit të emergjencës. Ajo shprehet se mjetet dhe pajisjet e përdorura nga zjarrfikësit janë jashtë standardeve dhe të vjetruara.

Sipas saj, është e papranueshme që Shqipëria të synojë integrimin në Bashkimin Evropian, ndërkohë që emergjencat përballohen me zjarrfikëse të viteve ’80 dhe ’90. Tregtarja ngre pikëpyetje edhe mbi pajisjet që përdoren për shuarjen e zjarrit, duke theksuar se dëmet janë të mëdha dhe se ajo është një nga më të dëmtuarat.

Ajo pohon se kapanonet e saj mund të ishin shpëtuar, pasi në momentin që ka mbërritur në vendngjarje, ato ende nuk ishin përfshirë nga flakët. Sipas dëshmisë së saj, zjarri është përhapur nga lart dhe ka përfshirë më pas dy kapanonet.

Në deklaratën e saj, tregtarja kritikon edhe praninë e policisë në vendngjarje, duke thënë se efektivët nuk kanë ndërhyrë për të ndihmuar, por kanë qëndruar duke vëzhguar situatën, ndërsa tregtarët janë trajtuar sikur të ishin kriminelë.

“Zjarrfikësit jashtë standardit, ne do të hyjmë në Evropë me zjarrfikëse të viteve ‘80 dhe ‘90. Nuk e di se çfarë aparaturash marrin këto emergjencat për të shuar zjarrin. Shumë dëme. Jam një nga më të dëmtuarat. Këto kapanone mund të ishin shpëtuar. Kur kam ardhur unë të dy kapanonet nuk ishin në zjarr. Ka kaluar zjarri nga lart dhe kanë marrë dy kapanonet. Ishte edhe policia, bënte sehir. Na mbante neve sikur ishim kriminel.”, u shpreh tregtarja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: