Bota e arteve marciale të përziera është tronditur nga vdekja tragjike e kampionit botëror të MMA-së, vetëm 15 vjeç, Mukhamedali Sanduloev, i cili humbi jetën pas një sulmi me thikë në Taxhikistan.

Sipas një deklarate zyrtare të Federatës Ndërkombëtare të Arteve Marciale të Përziera (IMMAF), ngjarja e rëndë ndodhi në një internet-kafe në qytetin Kulob, ku sportisti i mitur u përfshi në një sherr me bashkëmoshatarë të tij. Gjatë përleshjes, njëri prej personave të përfshirë dyshohet se e ka goditur Sanduloevin me thikë në gjoks, duke i shkaktuar plagë fatale. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë, 15-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë dëmtimeve të rënda.

Në të njëjtin incident janë plagosur edhe dy persona të tjerë, të cilët janë transportuar në spital dhe po marrin trajtim mjekësor. Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve. Ndërkohë, komuniteti ndërkombëtar i MMA-së ka shprehur dhimbje dhe tronditje për humbjen e një talenti të ri, i cili konsiderohej një nga premtimet më të mëdha të këtij sporti.

Policia e Taxhikistanit ka kryer dy arrestime në lidhje me vrasjen e kampionit të ri të arteve marciale të përziera, Mukhamedali Saduloev, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit vijojnë. Ngjarja e rëndë ka tronditur komunitetin sportiv ndërkombëtar, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar dinamikën e konfliktit që çoi në humbjen e jetës së 15-vjeçarit.

Në një deklaratë zyrtare, Federata Ndërkombëtare e Arteve Marciale të Përziera (IMMAF) shprehu trishtimin e saj të thellë, duke theksuar se Mukhamedali Saduloev kishte fituar medaljen e artë në Kampionatin Botëror për të Rinj IMMAF 2024, ku përfaqësonte Taxhikistanin. IMMAF i shprehu ngushëllimet familjes, miqve dhe Federatës Kombëtare të MMA-së së Taxhikistanit, duke e cilësuar humbjen e sportistit të ri si një goditje të rëndë për sportin dhe një tragjedi të madhe për komunitetin e MMA-së në mbarë botën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb