Thellohet skandali me aksin Qafë Plloçë-Qukës, ku traseja e rrugës në lotin e dytë, në afërsi të kthesës së fshatit Trebinjë ka pësuar çarje të konsiderueshme. Siç duhet edhe në këto pamje të siguruara nga News24, struktura e rrugës është dëmtuar në pjesën qendrore dhe në atë anësore, duke krijuar probleme në segmentin përkatës.
Mësohet se qarkullimi i mjeteve vijon normalisht, por në pjesën e dëmtuar lëvizja kryhet vetëm në një korsi, për arsye sigurie.
Aksi Qukës-Qafë Plloçë ka pësuar shembje që me nisjen e shirave të parë të vjeshtës, vetëm 27 ditë pas përurimit të tij, rrugë për të cilën u punua për 14 vite me radhë.
Edhe pse kushtoi 260 milionë euro, aksi Qukës-Qafë Plloçë nuk ofron aspak siguri për udhëtarët, ndërsa problematika e fundit u regjistrua më 7 janar, ku qarkullimi u bllokua për disa ditë. Po në këtë ditë, dherat që po rrëshqisnin nga skarpati zunë poshtë një automjet që po udhëtonte nga juglindja drejt Tiranës, ku jeta e shoferit u vu në rrezik.
Shembjet e përsëritura ngrenë dyshime të forta për mënyrën e projektimit të rrugës, për mbikëqyrjen dhe cilësinë e ndërtimit. Rruga që u trumbetua si një investim strategjik që do të lidhte Perëndimin me Lindjen dhe që për ndërtimin e saj u nevojitën 14 vite po kthehet në shembull të keqmenaxhimit të fondeve publike.
Megjithatë, firma kontraktore është në monitorim të vazhdueshëm të situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e Autoritetit Rrugor Shqiptar, që po ashtu është njoftuar për problematikën e konstatuar.
