Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka ngritur akuza të forta lidhur me atë që e cilëson si një aferë të rëndë në ndërtimin e tunelit të Murrizit, duke vënë në pikëpyetje sigurinë e qytetarëve dhe përgjegjësinë institucionale.

I ftuar në studion e News24, Kaso deklaroi se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka pranuar se ka hapur për qarkullim tunelin e Murrizit pa kryer procesin e kolaudimit. Sipas tij, bëhet fjalë për një vepër infrastrukturore që është vënë në përdorim pa përmbushur standardet e nevojshme të sigurisë.

“ARRSH ka pranuar se ka hapur për qarkullim një vepër pa e kolauduar. Është hapur një kantier dhe rreziku i njerëzve që kalojnë aty nuk mbulohet”, u shpreh deputeti demokrat.

Ai shtoi se situata bëhet edhe më shqetësuese nga fakti që ARRSH, sipas tij, mohon të jetë pronare e tunelit, ndërkohë që kompania ndërtuese ka deklaruar se nuk mban përgjegjësi dhe nuk jep garanci për shembjet e mundshme.

Kaso e cilësoi këtë rast si një tjetër aferë që, sipas tij, rëndon mbi zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku. Deputeti i PD-së shprehu pritshmërinë që Prokuroria e Posaçme (SPAK) të reagojë dhe të nisë verifikime për këtë çështje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb