Një postim simbolik i zëvendëskryetarit të Këshillit të Sigurisë së Federatës Ruse, Dmitry Medvedev, ka shënuar skadimin e traktatit të Ri START, i cili përfundoi në orët e para të mëngjesit, duke lënë për herë të parë pas vitit 1972 Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara pa asnjë kuadër detyrues për kontrollin e armëve strategjike bërthamore.

I frymëzuar nga seriali “Game of Thrones”, Medvedev publikoi në rrjetet sociale një pamje nga seriali i njohur televiziv, të shoqëruar me frazën “Dimri po vjen”, motoja ikonike e Shtëpisë Stark, e lidhur me një paralajmërim ogurzi. Në komentin e tij, ai shkroi se për herë të parë që nga viti 1972, Rusia, atëherë Bashkimi Sovjetik, dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë marrëveshje që kufizon forcat e tyre strategjike bërthamore, duke përmendur si tashmë të shkuara traktatet SALT I, SALT II, START I, START II, SORT dhe New START.

Traktati i Ri START, i cili vendoste kufij maksimalë për numrin e armëve bërthamore strategjike të dy fuqive, skadoi në orën 02:00 të mëngjesit sipas kohës greke. Moska kishte paralajmëruar më herët se, me përfundimin e marrëveshjes, nuk ndihej më e detyruar nga kufizimet e saj. Ministria e Jashtme ruse deklaroi të mërkurën se Uashingtoni nuk iu përgjigj kurrë zyrtarisht propozimit të Moskës për një zgjatje njëvjeçare të traktatit përpara skadimit të tij përfundimtar.

Nga ana e tij, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të ishte i interesuar për arritjen e një marrëveshjeje “më të mirë”. Uashingtoni këmbëngul se çdo kuadër i ri për kontrollin e armëve duhet të përfshijë edhe Kinën, e cila po zgjeron me shpejtësi arsenalin e saj bërthamor. Pekini e ka refuzuar kategorikisht këtë mundësi, ndërsa Moska nuk e konsideron të domosdoshme përfshirjen e Kinës në një marrëveshje të re.

Në të njëjtën kohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, António Guterres, u bëri thirrje Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara që të nisin menjëherë negociata për një marrëveshje të re që do të zëvendësonte New START-in. Megjithatë, në kushtet e tensioneve të larta gjeopolitike, perspektiva për një zhvillim të tillë në të ardhmen e afërt mbetet e pasigurt.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb