Për ish-prokurorin Besnik Muçi, kërkesa e Edi Ramës për Belinda Ballukun, kur ankimoi masën e GJKKO për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, nuk duhet të ishte legjitimuar nga Gjykata Kushtetuese.
I ftuar në programin e drekës me Ola Bruko, në News24, Muçi tha se çështja në fjalë është e thjeshtë dhe Kushtetuesja duhet t’i kishte dhënë adresimin e duhur. Ai shtoi gjithashtu se ndaj gjyqtarëve kushtetues po ushtrohet presion dhe kjo sipas tij është e lexueshme nga mbledhjet që zhvillohen dhe shtyrja e tyre.
Besnik Muçi: Për mua nuk duhej të legjitimohej Këshilli i Ministrave të bënte kërkesën, siç doli 5:3 votimi për legjitimin e kërkesës. Duhej rrëzuar që këtu. Është kaq e thjeshtë. Këta tre gjyqtarët nuk i njoh fare kush janë, për mua nuk ka interes. Kryeministri nuk duhej të legjitimohej. Është e vështirë të parashikosh vendimmarrjen kur është kjo situatë, mblidhen njehërë, e shtyjnë, tërhiqen, duket që ka faktorë tej profesionalë, përtej Gjykatës Kushtetuese. Këtu na solli Reforma në Drejtësi.
Ola Bruko: Çfarë do ta shpëtonte reformën në drejtësi? A ka shpresë?
Besnik Muçi: U shkatërrua sistemi i drejtësisë. Duhen 20 vite që ta marrë veten. Duhet funksionim në mënyrë të përhershme. Ky eksperiment bëmë që hoqëm prokurorë, caktuam 10 eunukë nga pikëpamja profesionale në KPK dhe KPA, e hoqën gjyqtarët e prokurorët. Kur ia çuan Kosovës, se Maqedonia e hoqi direkt, nuk e pranoi këtë proces, as vendet e Afrikës nuk e pranojnë. Ne e bëmë këtë eksperiment. Sot ku jemi? Sot s’ka fare drejtësi. Nuk bën dot gjyqin ai qytetari i thjeshtë. Amerikanët dhe europianët ta pranojnë që gabuan.
