Mali në fshatin Mifol të Novoselës ka rënë pre e një masakre mjedisore, ku koncesionari i Aeroportit të Vlorës po e rrafshon pa pasur leje përkatëse, për t’i çuar më tej materialet inerte në vendin ku po ndërtohet aeroporti.

Siç shihet edhe përmes këtyre pamjeve të siguruara nga News24 kompania 2A Group me pronar Valon Ademin, vijon gërryerjen e malit në Mifol me mjete të rënda, ku dheun e dërgon në fushën e kripores, vend në të cilin po ndërtohet Aeroporti i Vlorës.

Burime për News24 bëjnë të ditur se firma 2A Group nuk ka asnjë leje nga institucionet qendrore, lokale apo mjedisore dhe skandali thellohet më tej për shkak se pushteti vendor nuk reagon, pavarësisht denoncimeve të vazhdueshme të banorëve të Novoselës.

Ndonëse në vitin 2014 me vendim të Këshillit të Komunës Novoselë, kjo pjesë e malit që po rrafshohet është caktuar si truall për ndërtimin e varrezave, autoritetet lokale nuk ndërhyjnë për ndalimin e punimeve, për më tepër që nuk ka ende një dokumentacion zyrtar që të përcaktojë sa metra kub dhera do të merren dhe për sa kohë do të zgjasë kjo ndërhyrje.

Pavarësisht se nga njëra anë dy firmat, që përbëjnë edhe koncesionarin e Aeroportit të Vlorës kanë mosmarrëveshje për aksionet, me bllokime dhe vendime, në terren puna vijon në shkelje të plotë të lejeve mjedisore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb