Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se lufta në Ukrainë nuk ka gjasa të përfundojë përmes negociatave aktuale, duke theksuar se konflikti do të marrë fund vetëm kur njëra nga palët të jetë e rraskapitur ushtarakisht ose ekonomikisht.
Në një intervistë për gazetën Rheinpfalz, të publikuar sot, Merz u shpreh: “Sipas mendimit tim, kjo luftë do të përfundojë kur njëra nga të dyja palët të jetë e rraskapitur, qoftë ushtarakisht ose ekonomikisht”.
Duke iu referuar presidentit rus Vladimir Putin, kancelari gjerman theksoi se “logjika dhe argumentet me natyrë humanitare nuk do ta bindin Putinin. Kjo është e vërteta e hidhur”.
Sipas tij, përpjekjet evropiane duhet të fokusohen në dobësimin e kapaciteteve të Rusisë për të vazhduar luftën. “Duhet të sigurohemi që shteti rus të mos jetë në gjendje ta vazhdojë luftën nga pikëpamja ushtarake dhe të mos mund ta financojë më atë nga pikëpamja ekonomike”, u shpreh Merz.
Ai shtoi se “klika në pushtet” në Rusi nuk mund të mbijetojë pa luftë dhe paralajmëroi se konflikti mund të zgjasë. “Ajo duhet ta mbajë makinën e luftës në punë, sepse nuk ka plan se çfarë të bëjë me mijëra ushtarë, ndonjëherë shumë rëndë të plagosur, që kthehen nga fronti”, argumentoi kancelari.
Merz e përshkroi situatën aktuale të Rusisë si një “gjendje barbarie të thellë”, duke shtuar se kjo nuk pritet të ndryshojë në të ardhmen e afërt dhe se Evropa duhet të jetë e përgatitur për ta përballuar këtë realitet.
