Lindja e Mesme mbetet në prag të konfliktit, siç pasqyrohet në një forcim historik të forcave ushtarake amerikane.

Mediat e huaja ndërsa ndjekin hap pas hapi zhvillimet pasqyrojnë dhe qëndrimet më të fundit zyrtare nga SHBA, por edhe nga Irani.

Qëndrimi i ashpër i SHBA vjen në një kohë kur përpjekjet diplomatike në Gjenevë kanë revoltuar politikëbërësit amerikanë, me zëvendëspresidentin J.D. Vance që tha se iranianët nuk ishin të gatshëm dhe se nuk po njihnin “vijat e kuqe” të Donald Trump.

Më herët Trump vendosi një ultimatum për një marrëveshje bërthamore “të konsiderueshme” .

“Do të thoja se kjo do të ishte një kohë e gjatë, 10 deri në 15 ditë maksimumi”, deklaroi Trump.

Ai gjithashtu paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, “do të ndodhin gjëra të këqija”, deklarata këto që i bëri në takimin inaugurues të “Këshillit të Paqes”.

Ndërsa më vonë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, theksoi se ndërsa diplomacia ka qenë gjithmonë zgjedhja e parë e presidentit, administrata mbetet e përgatitur të ndërmarrë veprime nëse negociatat nuk çojnë në një ndërprerje të verifikueshme të pasurimit.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff , theksoi në një intervistë me Fox News se presidenti amerikan pyet veten pse Irani nuk është dorëzuar ndaj presionit në rritje të SHBA-së, teksa bisedimet mbi programin e tij bërthamor mbeten të bllokuara në pika kyçe .

“Presidenti më pyeti këtë mëngjes dhe… nuk dua ta përdor fjalën ‘i zhgënjyer’ , sepse ai e kupton që ka shumë alternativa, por është kurioz”, vuri në dukje ai.

Witkoff sugjeroi që Uashingtoni pret që Irani të deklarojë zyrtarisht se nuk po kërkon armë bërthamore dhe gjithashtu të paraqesë hapa konkretë për ta vërtetuar këtë.

Komentet vijnë ndërsa dy raunde bisedimesh midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë ngecur në pikat kryesore të mosmarrëveshjes, duke përfshirë nivelet e uraniumit të pasuruar, programin e raketave të Teheranit dhe shkallën e lehtësimit të sanksioneve.

Pas bisedimeve në Gjenevë, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se të dyja palët kishin rënë dakord mbi parimet udhëzuese, megjithëse Shtëpia e Bardhë e bëri të qartë se kishte dallime të rëndësishme. Araqchi tregoi se një kundërpropozim mund të jetë gati brenda 2-3 ditësh për miratim nga zyrtarët e lartë iranianë, me bisedime të mëtejshme të mundshme brenda rreth një jave. Ai nga ana tjetër vuri në dukje se veprimi ushtarak do të ndërlikonte përpjekjet për të arritur një marrëveshje.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb