Teksa pas pak minutash pritet të mblidhet Këshilli i Mandateve për të diskutuar mbi kërkesën e SPAK për imunitetin e Belinda Ballukut, kjo e fundit ka refuzuar që të jetë pjesë e mbledhjes.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetari Ergys Gjençaj. Në një lidhje live për News24, gazetari tha se tashmë në sallën ku do të mbahet Këshilli i Mandateve, në Kryesinë e Kuvendit, kanë mbërritur prokurorët e SPAK, kreu Klodian Braho dhe Dorina Bejko Dritan Prençi.
Ndërkohë, të pranishëm në sallë do të jenë dhe 10 anëtarë të Këshillit, 5 deputetë socialistë dhe 5 nga opozita. Më 16 dhjetor të vitit të kaluar, pranë Kryesisë së Kuvendit mbërriti kërkesa për heqjen e mandatit të Ballukut. Anëtarët e Këshillit mblidhen pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën e qeverisë për pezullimin e masës së GJKKO që shkarkoi nga funksionet publike, zv/kryeministren Belinda Balluku.
AKUZAT NDAJ BALLUKUT:
Numri dy i qeverisë është e pandehur për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për tenderin loti 4 Unaza e Madhe.
SPAK njoftoi se po e heton Belinda Ballukun edhe për disa procedura të tjera, çka e rëndon ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
“Shtetasja Belinda Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi me objekt:
“Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT”;
“Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2”;
“Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana”;
“Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 5”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 6”;
“Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 7”, thuhet në kërkesën e SPAK.
