Një ngjarje e rëndë është shënuar në Turqi, ku një baba 34-vjeçar u sulmua brutalisht ndërsa mbante në krahë vajzën e tij 14-muajshe, duke lënë të plagosur rëndë si atë ashtu edhe foshnjën. Muhammet Baka, baba i katër fëmijëve, kishte prej nëntë muajsh një konflikt të vazhdueshëm me fqinjin e tij, i cili ankohej shpesh për zhurmat që bënin fëmijët në banesë. Të shtunën, ndërsa po kthehej në shtëpi dhe mbante në krahë vajzën e tij të vogël, ai u përball me fqinjin në ambientet e përbashkëta të ndërtesës.

Sipas dëshmisë së tij, fqinji filloi ta ofendonte dhe t’i bërtiste “Çfarë po shikon?”, ndërsa situata u përshkallëzua brenda pak çastesh. Edhe pse Muhammeti tentoi të largohej dhe arriti pranë derës së apartamentit, ai u sulmua nga pas me një shkop. Si pasojë e dhunës, 34-vjeçari pësoi thyerje të hundës, ndërsa vajza 14-muajshe, Ikra, mori tre fraktura në kafkë dhe një dëmtim në sy.

Foshnja u transportua me urgjencë në spital me ambulancë, ku po merr trajtim mjekësor, ndërsa autori i dyshuar është arrestuar nga policia turke dhe pritet të përballet me akuzat përkatëse. Autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të incidentit, një rast që ka tronditur opinionin publik për shkak të dhunës së ushtruar ndaj një fëmije të mitur.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb