Vijon mbledhja në Këshillin e Mandateve ku po diskutohet në lidhje me imunitetin e zëvendës kryeministres Belinda Balluku, çka nëse hiqet i hap rrugë arrestimit të saj.
Gazetari Ergys Gjençaj raporton se në vijim të pyetjeve të bëra nga Kryetari i grupit parlamentar të PD Gazment Bardhi Prokuroria e Posaçme konfirmon se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun.
Sipas SPAK, Balluku ka rrezik të prishë prova dhe të kryejë krime të tjera gjithashtu, konfirmoi se në datë 20 Nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë.
Po ashtu, prokuroria informon se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë kanë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave.
Sipas prokurorisë znj. Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik/përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik. Ky fakt u konfirmua edhe nga avokatët e znj. Balluku, të cilët u shprehen se nuk kanë ndonjë pretendim të këtij lloji.
Gjithashtu Gazment Bardhi, deklaroi se prokurori është shprehur se përveç personave të fortë të dyshuar të përfshirë në krim, por hetohet edhe fakti se intimidimi ka ndodhur nga zyrtar publik.
“Përveç personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, por që po hetohet; intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtar publik, kabineti i ministres, që ka kërcënuar apo tentuar t’i korruptojë dëshmitarët. Nuk japim më shume të dhëna sepse e kemi nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor”.
