Nga Genc Burimi
Si ta transformosh lajmin e keq në sihariq?
Këtë akrobaci intelektuale dhe verbale që e karakterizon, kryeministri shqiptar e praktikoi sërish në podcastin e së dielës që shkoi. Kësaj here talentin për bllofin, Edi Rama e shpalosi teksa komentoi draft-rezolutën që kanë hartuar eurodeputetët pas vizitës së tyre në Tiranë javën e kaluar.
Nëse i merrje si të vërteta gjithçka që dilte nga goja e kryeministrit në podcastin e tij, kujtoje se europianët ishin larguar “pa mend” për mirë nga Shqipëria. Sipas Ramës, qeveria e tij paska marrë notë maksimale në të gjitha fushat, duke bërë këtë koment në podcast:
“Një tjetër sinjal se Shqipëria po ecën me ritëm, me qëndrueshmëri dhe me qartësi strategjike në drejtimin e duhur… duke evidentuar kështu progresin në forcimin e institucioneve demokratike, shtetin e së drejtës, reformën socio-ekonomike, politikat mjedisore…”
Por realiteti i përmbajtjes së draft-rezolutës së Parlamentit Europian është disi më i ndryshëm. Ose më i hidhur…
Do t’i ballafaqojmë më poshtë temat ku u mburr Rama në podcast dhe si janë formuluar ato realisht në draft-rezolutën e Parlamentit Europian. Manipulimi kryeministror del qartë.
1. Shqipëria po ecën me qartësi strategjike në drejtimin e duhur
Kjo ishte vetëkënaqësia e parë e Ramës. Me këtë citim të cunguar nga draft-rezoluta ai shpresonte se opinioni do të kujtonte se qeveria është në drejtimin e duhur në rrugën e integrimit. Por po t’i referohemi versionit origjinal në tekstin e draft-rezolutës, kjo thënie s’ka lidhje fare me progresin e qeverisë shqiptare. Termi i “qartësisë strategjike” shqiptare përdoret në draft-rezolutë për të treguar se populli shqiptar dhe të gjitha partitë që e përfaqësojnë e shfaqin qartë se duan që Shqipëria të hyjë në BE. Asnjë meritë nuk ka Rama në këtë pikë. Kjo “qartësi strategjike” e shqiptarëve është bile një veçanti në kontinent, ndërkohë që në shumë vende të tjera, edhe në Europë Lindore si për shembull në Serbi, Bullgari, Rumani, Hungari, Sllovaki etj., gjen parti euroskeptike. Ja versioni i plotë origjinal në tekstin e draft-rezolutës së eurodeputetëve: “Shqipëria ka ruajtur një orientim të qartë strategjik drejt anëtarësimit në BE. Përshëndesim angazhimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë për integrimin në BE, bazuar në konsensus midis të gjitha partive politike dhe mbështetje dërrmuese midis qytetarëve.”
2. Forcimi i institucioneve demokratike
Rama në podcast u mburr po ashtu se draft-rezoluta vë në pah “progresin në forcimin e institucioneve demokratike” në Shqipëri. Por fatkeqësisht për të dhe për gjithë shqiptarët, nuk është kjo që eurodeputetët thonë në dokumentin e tyre. Duke qenë se institucioni themelor demokratik është institucioni i zgjedhjeve, eurodeputetët e komentojnë këtë pikë negativisht për mazhorancën: “Përsërisim shqetësimet tona në lidhje me kushtet e pabarabarta në të cilat zhvillohen zgjedhjet, në lidhje me keqpërdorimin e burimeve administrative, në lidhje me akuzat për blerjen e votave dhe me presionin mbi votuesit.”
Më pas, europarlamentarët denoncojnë mosfunksionimin siç duhet të një tjetër shtylle të institucioneve demokratike, siç është Parlamenti me misionin e tij të kontrollit që ai duhet të ushtrojë mbi qeverinë. Në kushtet kur opozita parlamentare nuk e gëzon praktikisht këtë mundësi, në draft-rezolutë nënvizohet kjo: “Inkurajojmë një kontroll më të fortë parlamentar mbi ekzekutivin, transparencë më të madhe në procedurat legjislative (dmth. transparencë në hartimin, diskutimin dhe votimin e ligjeve) dhe konsultime jo fiktive me organizatat e shoqërisë civile, partnerët socialë dhe institucionet e pavarura.”
Një tjetër institucion themelor i demokracisë janë mediat. Edhe në këtë pikë, Parlamenti Europian i nxjerr kartonin e verdhë Edi Ramës, i cili mburrej në podcast për progrese. “Bëjmë thirrje,” shkruajnë eurodeputetët, “për masa për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe pluralizmin e medias, për transparencë më të madhe në rastet e konflikteve të mundshme të interesit me pronarë mediash, për mbrojtjen e gazetarëve kundër presionit politik dhe ekonomik që ushtrohet mbi ta, dhe për hetim efektiv të kërcënimeve dhe sulmeve kundër aktorëve të medias.”
Kur lexon këto konstatime, e ke të vështirë ta kuptosh vetëkënaqësinë e Ramës me progresin në forcimin e institucioneve demokratike. Në rastin e konflikteve të interesit në media, Parlamenti Europian s’mund të jetë më i qartë kur duket sikur thotë: si mund të jesh media e pavarur dhe kritike kur pronari i saj merr avantazhe ekonomike nga qeveria? Si mund të mbrohen gazetarët nga presionet kur sot nuk ka në Shqipëri asnjë hetim ndaj këtyre presioneve dhe aq më pak procese gjyqësore apo dënime? Përkundrazi, nuk mungojnë rastet kur janë vetë gazetarët që shpallen si rrezik, sepse çohen para gjykatave për shpifje.
3. Shteti i së drejtës
Edhe në këtë pikë Rama vazhdon ta lexojë mbrapsht draft-rezolutën, sepse deklaronte në podcast se ka progres në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Shteti i së drejtës është para së gjithash mirëfunksionimi i drejtësisë si garant i shtetit të së drejtës. Por për të mirëfunksionuar, drejtësia varet thelbësisht nga mazhoranca, sepse është ajo që ka në dorë mjetet e nevojshme dhe pavarësinë që duhet të gëzojë drejtësia. Edhe në këtë pikë, eurodeputetët shkruajnë të kundërtën e asaj që pretendon Rama: “Vërejmë si të pazgjidhura sfidat në lidhje me efikasitetin e drejtësisë, mbingarkesën që ajo ka dhe përpjekjet për presion të padrejtë që ushtrohet mbi të.”
Në këto kushte, tingëllon si ultimatum kërkesa e eurodeputetëve ndaj Edi Ramës si shef i ekzekutivit dhe i mazhorancës në Kuvend, në mënyrë “që të përforcohet vetëqeverisja e drejtësisë duke i siguruar asaj pavarësi, transparencë, rritje të kapacitetit profesional, investime në infrastrukturën e gjykatave dhe në dixhitalizim.” Asnjë nga këto elemente që përmenden në raport nuk janë në dorë as të opozitës dhe as vetë të drejtësisë. Kush tjetër përveç qeverisë apo parlamentit e pengon drejtësinë për të qenë e pavarur, për të pasur ambiente normale pune, dixhitalizim, shkolla performante që të formojnë mjaftueshëm dhe mirë magjistratë të rinj? Nëse këto etapa nuk janë realizuar dhjetë vjet pas reformës në drejtësi, kjo nuk mund të quhet progres siç pretendon Rama.
Përkundrazi, draft-rezoluta shton se korrupsioni, armiku kryesor i shtetit të së drejtës, “vazhdon të mbetet një shqetësim serioz”. Shqipëria, shkruhet aty, vërtet ka progres “në kuadrin ligjor dhe institucional”, domethënë ligjet ekzistojnë në letër, por praktikisht “Shqipëria ka bilanc të pakët suksesesh në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë si në hetime ashtu edhe në dënime përfundimtare”. Aluzioni është fare i qartë me rastin e Ballukut. Nëse nuk ka sukses në hetim dhe aq më pak në dënime të mundshme, përgjegjësinë e ka mazhoranca që po e pengon drejtësinë të punojë dhe shtetin e së drejtës të triumfojë.
4. Reformat socio-ekonomike dhe mjedisore
Fusha e fundit ku Rama u mburr në podcast se ka marrë vlerësim është ekonomia dhe ekologjia. Edhe këtu bllofi i kryeministrit është maksimal. “Vërejmë se dobësitë strukturore vazhdojnë (domethënë nuk ka përmirësime në këto fusha): informalitet i lartë, prodhimtari e dobët ekonomike dhe mjedis jo shumë i favorshëm për biznes.”
Shkak, sipas raportit, janë edhe mangësitë e qeverisë shqiptare në fushën e “investimeve në arsim për të promovuar kompetencat dhe inovacionin si baza për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe kohezionin social”. Më zymtë s’bëhet. Te kohezioni social, draft-rezoluta e europarlamentarëve shënjestron mungesën e rëndësisë që qeveria i kushton dialogut social në një vend si Shqipëria, ku sindikatat janë thuajse inekzistente.
Kjo qeveri jo vetëm nuk dëgjon, por ka edhe luksin t’i transformojë të vërtetat që miqtë e Shqipërisë i thonë.
