Man.United “fluturon” me Michael Carrick. Në 6 ndeshje me të në stol, “djajtë e kuq” kanë marrë 5 fitore dhe 1 barazim, shifra fantastike që përforcojnë pozitat e tyre në zonën Champions. United kaloi me sukses edhe testin e radhës, transfertën përballë Everton duke dalë me 3 pikë pas fitores 0-1.
“Djajtë e kuq” ishin dominues, krijuan më shumë shanse për shënim, por pa gjetur prekjen fituese. Në fraksionin e dytë, Carrick hodhi në fushë edhe Sesko-n, me “bomberin” slloven që rezultoi edhe një herë përcaktues, edhe pse në asnjë ndeshje nuk është aktivizuar titullar. Në minutën e 71-të, United kapi “mat” Everton me një kundërsulm të shpejtë, i finalizuar nga Sesko, një gol që në fund rezultoi një trepikësh pasi rezultati mbeti i pandryshuar. Falë këtij suksesi, Man.United përforcon pozitat në vendin e katërt në kuotën e 48 pikëve, tre më pak se Aston Villa.
Pas ndeshjes, Michael Carrick u shfaq i lumtur për këtë trepikësh: “Duhet të punonim shumë në këtë sfidë, kjo edhe për meritë të Everton që na i bëri gjërat më të vështira. Shpirti me të cilin mbrojtëm portën është për t’u duartrokitur. Fakti që e mbyllëm ndeshjen me portën e paprekur është fantastike. Sigurisht që mund të luajmë më mirë, por fakti që erdhëm këtu dhe dolëm me 3 pikë është diçka pozitive. Jemi entuziastë për shpirtin që kemi ndërtuar. Nga pikëpamja e rezultateve, gjërat kanë shkuar mirë, por kemi ende shumë për të dhënë”, u shpreh Carrick pas suksesit 0-1 përballë Everton.
